Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE
Në vitin 2003, Kroacia nisi serinë e aplikimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Kjo seri u mbyll të enjten, 14 vjet më vonë, kur Kosova aplikoi për anëtarësim. Mirëpo, vetëm Kroacia ka arritur ta përfundojë këtë rrugëtim deri më tani.
Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kurse për Bosnje dhe Hercegovinën ky vendim pritet të konfirmohet nga krerët e qeverive të vendeve anëtare të BE-së gjatë samitit të sotëm.
Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ende nuk e kanë filluar fazën e negociatave për anëtarësim, përderisa Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.
Të mërkurën, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE u nënshkrua nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.
Të tre udhëheqësit e Kosovës e cilësuan këtë moment “historik”, ndërsa Konjufca shtoi se pret që, pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat.
Aktualisht, janë tetë shtete që kanë zyrtarisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Ukraina dhe Moldavia.
Kosovës mund t’i duhen vite të tëra për ta fituar këtë status, pasi që edhe vendet e rajonit kanë pritur ngjashëm – si Shqipëria që priti pesë vjet, dhe Bosnja dhe Hercegovina gjashtë vjet. Megjithatë, disa vende, si Ukraina dhe Moldavia, pritën vetëm disa muaj për ta fituar këtë status.
Statusi i vendit kandidat jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian – dhe duke marrë parasysh që pavarësinë e Kosovës nuk e njohin pesë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, ky proces mund të jetë edhe më i ndërlikuar për vendin.
Mirëpo, edhe pa këtë pozitë unike të Kosovës, edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ky proces po u merr kohë. Kjo pasi që, siç thuhet në uebsajtin zyrtar të BE-së, “të bëhesh anëtar i BE-së është një procedurë komplekse që nuk ndodh brenda natës”.
Vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 – tri zgjerimet e fundit të bllokut evropian – u janë dashur nga tetë deri në 14 vjet që nga dorëzimi i aplikimit e deri te anëtarësimi në BE.
Ky proces merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.
Kriteret për aplikim – të njohura si “Kriteret e Kopenhagës” – kanë të bëjnë me stabilitetin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e tregut ekonomik.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe disa kushte shtesë, të përcaktuara përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet.
Rrugëtimi i Kosovës mund të jetë më i ndërlikuar sesa ai i Kroacisë, pasi që kjo do të jetë hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia. Kosova është, gjithashtu, shteti i vetëm i rajonit që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.
Kosova, deri më tani, ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që u nënshkrua në Strasburg, më 17 tetor të vitit 2015.