June 26, 2024
Maqedoni

Rrogat e ministrave në Maqedoni nga muaji i ardhshëm 2.000 euro, deputetët 1.700 euro

Prej nesër rrogat e funksionarëve rriten për 78 për qind, në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Keshtu, nga fillimi i muajit prill, presidenti i cili ka pagën më të lartë në vend do të ketë rritje prej 72.500 denarëve dhe paga e tij nga 93.000 do të shkojë në mbi 165.000 denarë.

Edhe ministrat dhe kryeministri do të marrin shumë më tepër para se deri tani. Pagat e tyre prej rreth 65.000 denarë tani do të rriten për 50.000 denarë shtesë, kështu që nga fillimi i muajit në llogaritë e tyre çdo muaj do të hyjnë afër 2.000 euro neto pagë mujore.
Rritje do të kenë edhe deputetët, të cilët me pagën aktuale prej rreth 60.000 denarë do të marrin plus 700 euro në muaj dhe do të marrin pagë neto mbi 1.700 euro, transmeton Lideri.mk.

Qeveria vlerëson se Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin mundësohet rritja e pagave të funksionarëve është përfundimtar dhe duhet të respektohet. Por nga Qeveria thonë se kjo nuk do të thotë që pagat me automatizëm do të rriten për 78%. Rritje të pagave do të ketë por në çfarë mase nuk dihet. Qeveria thotë se do të shqyrtojë mundësinë që të ulet koeficienti për përllogaritjen e pagës.

“Edhe pse baza për përllogaritjen e pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mundëson rritje, Qeveria po shqyrton mundësitë e uljes së koeficientëve për llogaritjen e pagave për personat e emëruar për të cilët ekziston mundësia ligjore, për të mos rënduar buxhetin. U bëjmë thirrje palëve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë, brenda kompetencave të tyre ligjore. Njëkohësisht apelojmë që të mos spekulohet dhe të përdoret retorika dhe aktivitete populiste, të flasim realisht dhe me fakte”, thonë nga Qeveria.

Nga Gjykata Kushtetuese thonë se ata nuk janë organ që përcaktojnë pagat. Por thonë se me kërkesë të Avokatit Bojan Stojevski, e kanë shqyrtuar Ligjin për paga dhe e kanë shfuqizuar nenin 4 në të cilën baza për llogaritjen e pagave është 26.755,oo denarë. I pari që reagoi lidhur me këtë vendim ishte presidenti Stevo Pendarovski. Ai thotë se është e pahijshme në kohë të krizës ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror dhe apelon deri tek Qeveria të gjej zgjidhje përmes uljes së pikëve.
Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani thotë se pagat e politikanëve janë të ulëta, por duhet të jenë të fundit që duhet të rriten.

“Çdo politikan që do të thotë se nuk e ka pagën e rëndësishme kjo nuk është porosi e mirë, për shkak se me siguri ka burim tjetër. Unë nuk kam burim tjetër për të jetuar përveç kësaj page. Kuptohet gjithkush dëshiron të ketë mundësi më të madhe por nga aspekti etik mendoj se politikanët duhet të jenë të fundit në listën e qytetarëve të cilët duhet të kenë rritje të pagave. Po duhet, sepse janë skandaloze të ulëta, megjithatë duhet të jenë të fundit në listë, pasi të gjithëve do t’ju rriten, atëherë edhe politikanëve”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i P. Jashtme.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE kërkojnë që menjëherë të zvogëlohet koeficienti i pagave të funksionarëve, pasi ata nuk janë qytetar të rendit të veçantë.

“600 mijë qytetarë jetojnë me 150 denarë në ditë. Në kushte të krizës ekonomike, inflacionit enorm dhe varfërisë, puna e fundit që duhet të bëhet është që të rriten pagat e funksionarëve. VMRO-DPMNE kërkon që menjëherë të ulet dhe korrigjohet koeficienti për harmonizimin e vendit të punës me çka do të uleshin pagat e funksionarëve. Funksionarët nuk mund të jenë qytetarë të rendit të posaçëm, por shërbëtor të popullit”, tha Marija Mitevska, VMRO-DPMNE .

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në opinion dolën dy vlerësime se rritja e pagës do të rritet deri në 78%, ndërsa tjetra se funksionarët do të marrin pagë më të lartë për 19% më të madhe nga ajo aktuale./Alsat.mk