Maqedoni

Rritet çmimi, por edhe numri i banesave të pashitura në Maqedoninë e Veriut

Vëllimi i transaksioneve të pasurive të paluajtshme në vitin 2021 tejkaloi ndjeshëm nivelin para pandemisë dhe rritja e çmimit të banesave u përshpejtua dhe është mbi mesataren afatgjatë dhe tendencën afatgjatë. Çmimet e banesave u rritën me 6.1 për qind gjatë vitit 2021, me rritje më të ndjeshme se në gjysmën e dytë të vitit. Norma e rritjes së çmimeve të banesave në ekonominë vendase është pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 8.3 për qind, thuhet në Raportin për Stabilitetin Financiar të Bankës Popullore.

BPRMV, duke iu referuar Raportit, theksoi se rritja e çmimeve të banesave në një pjesë është reflektim i faktorëve nga ana e ofertës, si rritja e kostove të materialeve ndërtimore dhe efektet e pandemisë në ofertën e banesave në vitin paraprak.

“Përkatësisht, për shkak të pandemisë, një pjesë e punimeve ndërtimore u shtynë, kështu që oferta me ndërtesa të përfunduara u ul në vitin 2020, e cila tashmë po shënon rritje në vitin 2021. Rritje të ndjeshme shënon edhe numri i lejeve të ndërtimit të lëshuara, gjë që tregon për rritje të mëtejshme të ofertës edhe në periudhën e ardhshme, në kushtet kur po rritet edhe numri i banesave të pashitura”, theksojnë nga BPRMV.

Nga atje theksojnë se edhe në vitin 2021 është regjistruar rritje solide e marrjes së kredive për banesa, si një nga burimet e financimit të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, e cila kontribuon në ruajtjen e kërkesës në këtë segment të tregut.

“Kreditë për banesa gjatë vitit 2021 u rritën mesatarisht me rreth 14 për qind. Kushtet e favorshme të financimit me norma të ulëta interesi, si dhe rreziku më i ulët i kredive për banesa (të cilat kanë normën më të ulët të kredive me probleme prej 0.6 për qind) janë faktorë që kontribuojnë në rritjen e kreditimit për banesa për individët”, shtojnë nga BPRMV.