Maqedoni

Rreth 100 autobusë privatë bllokojnë të gjitha udhëkryqet e Shkupit

Rreth 100 autobusë të shoqatave të transportuesve privatë kanë bllokuar përsëri të hënën të gjitha udhëkryqet e Shkupit, duke shkaktuar kaos në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Transportuesit po kërkojnë që t’u paguhet borxhi i rreth dy milionë eurove, të cilin, siç thonë ata, ua ka Ndërmarrja e Transportit Publik, përkatësisht Komuna e Shkupit.

Kjo është bllokada e dytë brenda një jave, ndërkohë që transportuesit thonë se e njëjta mund të përshkallëzohet me dyfishimin e numrit të autobusëve – rreth 200 – të cilët do të bllokonin qytetin.

“Bllokadat janë paralajmërim për ndërgjegjësimin e institucioneve se nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona. Katër muaj nuk kemi marrë paga. Gjendja e shoferëve është e rëndë pasi nga kjo punë ata mbajnë familjet e tyre. Drejtuesit e Shkupit po tallen me ndjenjat tona por ne këtë nuk do ta lejojmë”, ka deklaruar Lenin Jovanovski, kryetar i shoqatës së transportuesve privatë “Slloboda Prevoz”.

Bllokimi i udhëkryqeve ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e qytetarëve, të cilëve u është pamundësuar t’i kryejnë obligimet ditore.

Nga shoqata e transportuesve thonë se kuptojnë revoltën e qytetarëve, por kërkojnë mirëkuptimin e tyre, pasi kjo formë e protestës, sipas tyre, është mënyra e vetme për të realizuar kërkesat që kanë.

“Qytetarët nuk mund të na kritikojnë neve, duhet ta kritikojnë burimin e këtij problemi, që është kryetarja e Shkupit, e cila e ka lejuar këtë gjendje. Qytetarët nuk duhet të lejojnë që të kenë një kryetare të tillë që nuk i intereson – interesi i tyre”, tha Jovanovski.

Përplasjet mes transportuesve privatë dhe Komunës së Shkupit kanë nisur tash e një kohë për shkak të akuzave për shpërdorim të fondeve.

Por, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, tha se problemi qëndron te transportuesit, respektivisht shoqata, e cila sipas saj nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion mbi paratë e shpenzuar apo fatura mbi transportin e kryer.

Arsovska pretendon se që nga viti 2017 deri në vitin 2022 kjo shoqatë nuk ka raportuar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin në linjat e qytetit.

“Bëhet fjalë për miliona para të qytetarëve që dikush i ka futur në xhep”, ka deklaruar ajo.

Transportuesit privatë që qarkullojnë në rrugët e Shkupit nuk marrin para të gatshme nga pasagjerët, pasi çdo biletë regjistrohet në sistemin elektronik që është i lidhur me institucionet e Komunës së Shkupit.

Ajo tha se kontrata me transportuesit privatë është anuluar dhe se nuk tërhiqet nga vendimi, teksa zgjidhjen e problemit e sheh në shpalljen e konkursit ku “mund të marrin pjesë të gjithë transportuesit në mënyrë individuale”.

Por shoqata konkursin e vlerëson të jashtëligjshëm dhe përpjekje të kryetares së Shkupit për përçarjen e tyre.

Situata me transportuesit privatë ka shkaktuar edhe përplasje mes partive politike.

Danella Arsovska është zgjedhur kryetare të Shkupit si kandidate e pavarur, por me mbështetjen edhe të partisë opozitare, VMRO DPMNE.

Por, tani dy muaj raportet e saj me opozitën maqedonase janë ndërprerë dhe VMRO-ja e akuzon Arsovskan për bashkëpunim me partitë në pushtet, si dhe e akuzon se kaosin po e shkakton për t’ia faturuar VMRO DPMNE-së./RE