May 1, 2024
Maqedoni

Rrëfimi i Fatbardhës nga Shkupi, shitëse në Bit Pazar: Filloj ora 7, mbaroj ora 17 e 30

Fatbardha së bashku me bashkëshortin punojnë mbi 28 vite në tregun e gjelbër të Bitpazarit.

E përkushtimi i tyre ndaj punës që bëjnë vërehet edhe nga mikpritja e blerësve dhe mirëmbajtja e tezgës në të cilën shesin fruta dhe perime. Fatbardha e fillon ditën herët në mëngjes, para se shumica të zgjohen ajo është në treg duke bërë gati produktet për shitje.

Gazetari: Fatbardhë sa është e lodhshme puna që bën?

Fatbardha: Shumë, arrij në orën 7:00 dhe iki në orën 17:30, kur shkoj në shtëpi bëj bukën, punët, jam e vetme nuk kam fëmijë, kam kërkuar punë në çdo vend por nuk kam gjetur.

Gazetari: Cila do ishte puna adekuate për ty?

Fatbardha: Nuk është më rendësi, mjafton të jetë punë dhe ta punoj me djersë dhe zgjuarsi, të jetë punë e mirë që të ushqehem hallall kohën që më ka mbetur.”

Fatbardhën e kanë vizituar edhe politikanë gjatë fushatave politike për të bërë fotografi e në një kampanjë është vizituar edhe nga vetë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski para se ai të zgjidhet në krye të shtetit.

“Unë jam në pazar qe 28 vite dhe në Maqedoni, punoj së bashku me burrin. Para 4 viteve zotëri Pendarovski ka qenë këtu në Bitpazar, bëmë një bisedë dhe më tha që në rast se unë do të bëhem president ty nuk do të lë në tezgë, tentova që të kontaktoj me atë por më thanë që nuk mund të afrohesh deri të Pendarovski. Kam shumë dëshirë që të bëj një bisedë me atë”, tha Fatbardha Shabani, shitëse në treg.

Edhe pse Fatbardha thotë se nuk ka shitje si më parë shkaku i konkurrencës së dyqaneve më të mëdha që shesin edhe fruta-perime ajo vazhdon të presë me mirësjellje blerësit që tani janë gjithnjë e më të rrallë e në të shumtën e rasteve janë pensionistet./ Alsat.mk