May 3, 2024
Kosovë

Rrahja në Kuvend: Opozita sulmoi Kurtin kur ai po fliste për arrestimin e kriminelëve serbë

Deputetët e pushtetit dhe opozitës janë rrahur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Rrahja ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti.

Përplasja ka nisur në kohën kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një fasikell e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin, ndërkohë që ky i fundit ka gjuajtur në drejtim të tij me shishe të ujit.

Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur atë me shishe të ujit në fytyrë, pasi Murati dhe Lushtaku kishin filluar të shtyheshin mes vete.

Të përfshirë në këtë përleshje fizike me pushtetin ishin vetëm deputetët e PDK-së.

Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të opozitës të cilët janë përfshirë në rrahje.

Më pas ka ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Albin Kurti duke tentuar t’i shpërndante të përfshirët në përleshjen fizike, derisa kryeministrin e ka larguar nga mesi i turmës.

Gjatë kësaj kohe është dëgjuar kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili po bënte thirrje për qetësi.

Pacolli: Opozita sulmoi Kurtin kur ai po fliste për arrestimin e kriminelëve serbë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, reagoi pas rrahjes në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se sulmi ndodhi kur kryeministri Albin Kurti po fliste për shtrirjen e sovranitetit në veri.

PDK-ja ia lë fajin Besnik Bislimit për nisjen e rrahjes në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjes që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të kësaj partie e kabinetit qeveritar. Ajo ia ka lënë fajin zëvendëkryeministrit Besnik Bislimit se e nisi përleshjen.

PDK-ja ka thënë se pushteti e provokoi duke ia hequr një fotografi nga foltorja ku e kishte vënë. Ka shtuar se ngjarja ka nisur me Bislimin që e ka goditur deputetin Mërgim Lushtaku.

Video: https://fb.watch/lLyjR-WNU-/