Maqedoni

RMV, protesta e punonjësve shëndetësor: Mjekët po ikin, politikanët të vënë gishtin në kokë dhe të na trajtojnë siç duhet

Ne protestojmë për të treguar se nuk tërhiqemi nga kërkesat tona për rritje pagash. Nëse nuk na dëgjojnë do të kthehemi sërish dhe në numër më të madh, thanë përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë të cilët janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Punëtorët shëndetësorë në organizatën e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, të përkrahur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) protestuan për punësim jo selektiv, përshtatje të pagave sipas Ligjit për pagë minimale dhe rritje të koeficienteve si shtesa në paga.

“Me protestën dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë tonë për aneksin e panënshkruar të Marrëveshjes Kolektive dhe të theksojmë pashmangshmërinë, përkatësisht domosdoshmërinë e nënshkrimit të saj menjëherë pas formimit të qeverisë së re”, tha Ljubisha Karanfilovski, kryetar i Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale.

Sindikata përkujtoi edhe shqetësimin në komunitet për eksodin e stafit mjekëso jashtë vendit.

“Ka një eksod të madh në shëndetësinë tonë. Kemi dalje maksimale në të gjitha profilet. Është koha që të gjitha partitë politike të vënë gishtin në kokë. Mos e çoni veten deri në atë pikë që të importojmë punëtorë shëndetësorë dhe staf nga vendet e treta”, tha kryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski.

Danica Boshkoska, infermiere në repartin e Klinikës Infektive, thotë se nuk planifikon të shkojë jashtë vendit, por shpreson se të rinjtë do të duan të qëndrojnë.

“Nuk po mendoj dhe as nuk kam ndonjë plan të largohem. Unë dua të mbaj të rinjtë që janë këtu, por varet nga motivimi. Si infermiere reparti, duhet të ketë një numër të mjaftueshëm të personelit për të organizuar punën. Ne nuk e kemi këtë dhe për të pasur një numër të mjaftueshëm të stafit duhet të motivohen. Domethënë natyrshëm të marrë kontributet personale që i meriton”, thotë Boshkoska

Ndryshe, rreth 30 vjet më parë kishte rreth 18,000 mjekë, sot janë nga gjashtë deri në shtatë mijë. Vetëm nga shëndetësia publike, çdo vit largohen nga vendi 200 deri në 250 mjek, ndërsa e madhe është dalje edhe e infermierëve dhe teknikëve rentgen.

Ndonëse nga pikëpamja e personelit, shëndetësia publike prej kohësh e ka “këmbën e thyer”, kujdesi për ata që mbeten në vend nuk është në nivelin adekuat, kur bëhet fjalë për vlerësimin e punës.

Sipas vlerësimeve të sindikatave, me mosnënshkrimin e aneksit, mbi 20 mijë punonjës të shëndetësisë mbeten pa përshtatjen e pagave me rritjen e pagës minimale.

Kujtojmë se së fundmi, në protestë dolën punonjësit e Postës së Maqedonisë për, siç thanë ata, gjendjen e rëndë financiare të shoqërisë aksionare. Punonjësit nuk e kishin marrë pagën e muajit shkurt, ndonëse afati ligjor kishte kaluar. Ata thanë se kjo situatë vjen si pasojë e mbipunësimit në administratë dhe në pozita drejtuese.