RMV, pavarësisht ndalesës, në kopshte sot pranohen fëmijë të pavaksinuar
Edhe Daniela Temelkova, drejtoresha e çerdhes “Rosica” në Gjorçe Petrov, thotë se fëmijët të cilët tashmë janë regjistruar, e të cilët nuk janë vaksinuar plotësisht, sot nuk kthehen dhe po pranohen në çerdhe.
“Tashmë rreth një muaj më parë i kemi njoftuar prindërit pas së cilës pjesë kanë filluar vaksinimin dhe rivaksinimin e tyre. Ndërkohë pranojmë të gjithë fëmijët e regjistruar. Presim të marrim një letër të cilës mund t’i referohemi”, thotë Temelkova.
Lidija Tvirst, drejtoresha e çerdhes “Estreja Ovadija Mara” në Manastir, thotë se nga gjithsej 858 fëmijë të regjistruar, 776 fëmijë janë vaksinuar plotësisht.
“Kemi 70 fëmijë të planifikuar për rivaksinim në mars. Rivaksinimi i këtyre fëmijëve u shty për arsye të ndryshme – viruse, ftohje etj. Komiteti ynë në kuadër të kopshtit mban shënime të sakta dhe sapo të kalojë data e planifikuar e rivaksinimit, nëse prindi nuk sjell vërtetim se është marrë, fëmija nuk do të pranohet. Ne pranojmë të gjithë fëmijët e regjistruar në këtë moment”, thotë Tvirst.
Meta.mk ka kontaktuar edhe me disa çerdhe në Karposh dhe Qendër, ku mbulimi i imunizimit është më i ulët, por drejtoresha me të cilën kemi biseduar kanë thënë se nuk kanë mundur të flasin sepse presin që në çdo moment të vijnë inspektorët.
Ndryshe, katër ditë më parë IShSSh njoftoi se nga sot inspektorët do të nxjerrin vendime për ndalimin e pranimit të fëmijëve që nuk kanë marrë asnjë nga dozat e nevojshme të vaksinës DiTePer.
“Personat përgjegjës në institucionet parashkollore do të ngarkohen të hartojnë listën e të gjithë fëmijëve të pavaksinuar me vaksinën. Për çdo mungesë të shtuar duhet të njoftohet Qendra për Shëndet Publik Shkup”, njoftuan atëherë nga inspektorati.
Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë urdhëroi IShSSh-në të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme dhe ndaloi pranimin në parashkollore të fëmijëve që nuk janë imunizuar me vaksinën kundër kollës së mirë.
Anëtarët e Komisionit të Sëmundjeve Infektive, më 5 mars rekomanduan forcimin e inspektimit në kopshte për të parë tablonë reale me fëmijët e vaksinuar dhe të pavaksinuar me vaksinën DiTePer kundër kollës së mirë.
Pesëdhjetë raste të reja në vetëm një javë
Në periudhën nga 1 marsi deri më 7 mars janë raportuar 50 raste të reja me kollë të mirë, duke e çuar në 173 numrin total të të sëmurëve, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha e fëmijëve nga 10 deri në 14 vjeç. Numri më i madh i pacientëve janë nga Shkupi.
Nga 50 rastet e reja, 5 raste (10 për qind) janë shtruar në spital (4 fëmijë nën moshën 1 vjeç dhe një në grupmoshën nga 1 deri në 4 vjeç).
Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (173), 102 raste (ose 58 për qind) nuk janë vaksinuar, nuk janë vaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk kanë dëshmi të vaksinimit.
Nga rastet që janë vaksinuar plotësisht, koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në sëmundje është 11.9 vjet.
Që nga fillimi i epidemisë, janë regjistruar 13.593 fëmijë që kanë humbur vaksinimin. Prej tyre deri më tani janë vaksinuar 5756. Nga të vaksinuarit, numri dhe përqindja më e madhe morën rivaksinimin e parë (2879).
Numri i përgjithshëm i dozave të vaksinës që përmban komponentë kundër kollës së mirë, të dhëna si vaksinim primar (doza I, II, III) ose rivaksinim (rivaksinimi I, II), në territorin e Shkupit, në periudhën prej 18 janar deri më 7 mars, është 14,086.