May 14, 2024
Maqedoni

Rivotimi në Zhelinë, BESA kërcënon më dalje nga qeveria

Lëvizja BESA brenda disa ditëve do të vendosë nëse do të mbetet në Qeveri, bashkë me BDI-në. Sekretari i përgjithshëm i partisë Arianit Hoxha tha se nëse organet e partisë vendosin që BESA të vazhdojë të bashkëqeverisë me BDI-në , ai personalisht do të largohet nga posti i Ministrit të Bujqësisë. Hoxha u shpreh i prerë se nuk mund të jetë në një qeveri me partinë që po përpiqet të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve në Komunën e Zhelinës.

“Unë për vete, duke u nisur nga integriteti im personal, unë edhe sikur të vendose kryesia e partisë ose organet e partisë që të vazhdohet Qeverisja unë nuk do të jem ministër në këtë qeverisje. E kjo është deklaratë pas të cilës nuk kam ndërmend të tërhiqem”, deklaroi Arjanit Hoxha, Lëvizja BESA.

Edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i pyetur nga Alsat, tha se për disa ditë do të mblidhen të gjitha organet e partisë dhe do të merret vendimi nëse do të qëndrojnë ose do të dalin nga Qeveria. Duke komentuar qëndrimet e Lëvizjes BESA, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se nuk beson që Lëvizja BESA do të dalë nga Qeveria.

YouTube video
“Nuk mendoj që do të ndodhë diçka e tillë sepse nuk e ndihmon asgjë BESË-n nëse ajo tërhiqet, sigurisht i shkakton dëm vet partisë së vetë, por mund të përdoret si një lloj presioni ndaj koalicionit, por koalicioni nuk dëmtohet nga deklarata dhe presione të tilla”, tha Ali Ahmeti, BDI.

Por sekretari i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha deklaroi se Ali Ahmeti është mësuar të luaj me partnerë të tjerë në Qeveri, ndërsa këtë nuk do ia lejoj Lëvizja BESA.

“Ndoshta Ahmeti nuk është mësuar deri më tani, për shkak se ka pasur politikan të tjerë të cilët i ka gjetur në Qeveri që të mund të përçajë parti politike e gjëra të ngjashme, po do ta shohim nëse kjo është kështu ose jo, por mendoj se Ahmeti duhet të përgatitet gradualisht të shkojë në opozitë”, u shpreh Arjanit Hoxha, Lëvizja BESA.

Përplasjet mes BDI-së dhe Lëvizjes BESA filluan disa ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve lokale. BDI dorëzoi ankesë në KSHZ, me çka kërkoi rivotimi në komunën e Zhelinës, komunë të cilën e fitoi Lëvizja BESA. KSHZ-ja vendosi në favor të BDI-së, por Besa do ta ankimojë vendimin në Gjykatën Administrative.