Maqedoni

Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup ka zgjatur plotë shtatë vjet

Teatri Kombëtar Shqiptar në Shkup të shtunën të mbrëmje hapi dyert për publikun në objektin e rinovuar pas punimeve që kanë zgjatur shtatë vjet e që janë përcjell me debate, akuza e dyshime mbi procedurat e tenderimit e shpenzimin e fondeve për çka edhe ka pasur hetime nga institucionet përkatëse. Drejtori i Teatrit Shqiptar Adem Karaga falënderoi të gjithë ata të cilët kanë ndihmuar që objekti të rikonstruohet, përfshirë dhe ata që kritikuan pasi siç tha kanë shërbyer si motivim për përmirësim.

Falënderim i madh deri te Institucionet të cilët ndihmuan në realizimin e kësaj iniciative e cila tani është realitet. I falënderoj dhe mediat të cilat i ndoqën punimet e shtëpisë sonë, i falënderoj edhe për kritikat të cilat ishin motivim për përmirësim – tha Adem Karaga, Drejtor i “Teatrit Shqiptar” – Shkup.

Rindërtimi i Teatrit shqiptar filloi më 12 Janar të vitit 2014. Derisa ka zgjatur rikonstruimi, trupi i Teatrit ka performuar në objekte të tjera teatrale. Fillimisht, për rindërtimin e objektit ishte njoftuar se do të përfundonte në vjeshtë të vitit 2015. Kompania e parë e angazhuar për rindërtimin e objektit “Lamone Moreda” falimentoi. Vazhdoi “Schenzia”, kompani pronësia e së cilës nuk mund të përcaktohej në Itali. Kështu që afatet për rikonstruksionin e objektit vazhdimisht janë shkelur. Ndërkohë, procedura e rindërtimit të Teatrit ka qenë edhe nën hetime të institucioneve. Derisa ka ekzistuar Prokuroria Speciale ishte hapur procedurë para hetimore për mënyrën e rikonstruimit. Paralelisht me hetimin e Prokurorisë, revizion ishte bërë edhe nga anëtarja e ish korrupsionit Sllagjana Taeva e ku mes tjerash vërtetoi se persona jo adekuat kanë udhëhequr me procedurat e tenderimit për sanimin e objektit. Veç kësaj hetime ka bërë edhe policia financiare, por deri më tash nuk ka asnjë informatë zyrtare se deri ku është kjo procedurë./ALSAT