Rajon - Botë

Reuters nxjerr bisedat sekrete: SHBA kërkon ndërtim të kampeve refugjatësh afganë në Kosovë e Shqipëri?

“Administrata e Presidentit Amerikan Joe Biden ka zhvilluar bisedime të fshehta edhe me Shqipërinë dhe Kosovën për të siguruar një marrëveshje strehimi të përkohshëm për afganët që punonin për qeverinë amerikane dhe që tani janë në rrezik për shkak të pushtimit të vendit nga talebanët”.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se 4 zyrtarë amerikanë i kanë pohuar se diskutime ka pasur edhe qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës.

Ndërkohë që talebanët po rrisin çdo ditë kontrollin e tyre në Afganistan me një ritëm tronditës dhe të shpejtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke tërhequr mijëra persona nga ky vend që ndër vite kanë punuar për ta dhe që tashmë po u ofrohen viza amerikane.

Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane, por edhe në punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin për Vizat Speciale Amerikane të Imigrimit.

Deri më tani, rreth 1200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3500 në javët e ardhshme në një operacion të quajtur “Refugjatët Aleatë”. Disa prej tyre do të shkojnë në një bazë ushtarake amerikane në Virxhinia për të përfunduar dokumentet e tyre dhe të tjerë drejtpërdrejt tek mikpritësit amerikanë.

Nga frika se përparimi i talebanëve po rrit kërcënimin për aplikantët që janë ende në pritje të përpunimit, Uashingtoni po kërkon vendet e treta që t’i presin ata derisa të mbarojnë dokumentet e tyre dhe ata të mund të fluturojnë për në Shtetet e Bashkuara.

“Është thellësisht shqetësuese që nuk ka asnjë plan konkret për evakuimin e aleatëve të cilët janë qartë në rrezik. Është befasuese pse administrata amerikane ka marrë kaq shumë kohë për të siguruar këto marrëveshje,” – tha Krish O’Mara Vignarajah, presidente e organizatës së zhvendshqipertiosjes së Shërbimit të Imigrimit dhe Refugjatëve Luterian.

Vendet hezitojnë

2 zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti për Reuters, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për covid-19 para se të lejoheshin të fluturonin.

Administrata e Biden po shqyrton mundësinë që edhe Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani të merrnin mijëra aplikantë, por kjo përpjekje ka bërë pak përparim.

“Ka shqetësime që mund të kuptohen: “Kush janë këta njerëz? Si i njihni këta njerëz? A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin viza në Shtetet e Bashkuara? Kush do të kujdeset dhe t’i ushqejë këta njerëz. Çfarë ndodh nëse këta njerëz largohen nga ky objekt në të cilin i keni strehuar?” – tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Zyrtari nuk pranoi të konfirmojë vendet në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara kanë ofruar koncesione ekonomike dhe politike për Kosovën për marrjen e disa mijëra afganëve, por ka shqetësim në Uashington për aftësinë e saj për të strehuar afganët”, – thanë burimet e Reuters.

Ministria e jashtme në Kosovë nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment nga Reuters.

Avokatët vlerësojnë se amerikanët kërkojnë të evauojnë nga Afganistani një numër nga 50 mijë deri në 80 mijë persona kur përfshihen zyratrët që kanë punuar për ta dhe anëtarët e tyre të familjes.

Një marrëveshje për strehimin e rreth 8000 afganëve në Katar, e cila pret një bazë të madhe ushtarake amerikane, ka qenë e mbyllur për javë të tëra, tha një zyrtar i dytë amerikan dhe një person tjetër i njohur me këtë çështje, por një marrëveshje zyrtare ende nuk është shpallur.

Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që ndryshon me shpejtësi.

Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata të apelojë tek të tjerët që mund të jenë të gatshëm të ndihmojnë nëse Uashingtoni jep një ndihmë.

Precedentët me Shqipërinë

Më herët Shqipëria ka pranuar për shkak të kërkesës amerikane një numër muslimanësh ujgurë gjatë kohës që PD ishte në pushtet. Më vonë në Shqipëri u ngrit edhe një kamp i opozitarëve iranianëv MEK që ishin larguar në Irak, por me ndryshimin e situatës politike atje e kishin të pamundur të qëndronin.