June 21, 2024
Rajon - Botë

Erdoğan: Izraeli përpiqet të thyejë shpirtin e popullit të Gazës duke bombarduar qëllimisht spitalet

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu referuar sulmeve të përsëritura të qëllimshme ndaj spitaleve të Rripit të Gazës, ka deklaruar se Izraeli po përpiqet të thyejë qëndrueshmërinë e banorëve të Gazës duke bombarduar qëllimisht spitalet në enklavën e rrethuar, raporton Anadolu.

“Izraeli dhe mbështetësit e tij, që përdorin të gjitha mjetet moderne gjatë luftës kundër fëmijëve, grave dhe të moshuarve, do të gjykohen para ndërgjegjes së njerëzimit”, tha presidenti Erdoğan, duke folur pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Gaza më 7 tetor, tha presidenti Erdoğan, enklava e rrethuar ka parë mizori të ngjashme me atë që ndodhi në kryqëzatat mesjetare dhe në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti turk theksoi se Türkiye është vendi i vetëm që Izraeli nuk mund ta quajë antisemitik, duke shtuar se, “Nuk mund të shihni një njollë të tillë turpi në të kaluarën e Türkiyes”

“Nëse nuk reagojmë ndaj asaj që po ndodh në Gaza, ne nuk do të mund ta parandalojmë fanatizmin okupator nga arritja nesër në tokat tona”, shtoi ai.

Që kur Izraeli filloi bombardimet e Gazës më 7 tetor, sipas shifrave të autoriteteve në Gaza, të paktën 13 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 30 mijë të tjerë janë plagosur.

Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Bllokada izraelite gjithashtu ka ndërprerë furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë.

Ndërkohë, numri zyrtar i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200.