Reshjet dhe përmbytjet në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes: 30 familje janë evakuuar, disa qindra hektarë ‘nën ujë’
Reshjet me intensitet të lartë gjatë dy ditëve të fundit kanë sjellë problematika në disa zona të Shqipërisë.
Nga ura e Mifolit, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se tashmë situata është nën kontroll , niveli i lumit Vjosa ka rënë ndërsa janë përmbytur disa qindra hektarë tokë në zonën e Vlorës dhe Fierit. Rreth 30 familje janë evakuuar për të shmangur çdo lloj dëmi.
Ministri, bazuar edhe në parashikimet e motit nga IGJEUM tha se pritet që në orët në vijim të kemi përmirësim.
“Sot ka qenë një ditë e lodhshme për të gjithë forcat operacionale të forcave civile. Jemi te Ura e Mifolit ku ka qenë situata më kritike gjatë ditës së sotme. Është një fryrje e lumit të Vjosës i cili ka shkaktuar përmbytje në disa qindra hektarë në zonën e Vlorës dhe të Fieri, por le të themi që është shmangur më e keqja krahasuar me skenarët e viteve të kaluara, flasim për disa qindra hektarë të mbytur jo disa mijëra. Prej disa ditësh kemi pritur përshkallëzim të situatës, kemi ngritur edhe FA, 75 trupa dhe mjete të shumta gjatë gjithë ditës në betejën me pasojat e përmbytjes. Rreth 30 familje janë evakuuar për të shmangur çdo lloj dëmi. Në raste të tilla emergjente ne kemi në radhë të parën jetën e njeriut, kemi bërë maksimumin dhe nuk kemi bilance dramatike, i kemi shmangur ato”.
Peleshi tha se në të gjithë vendin hidrovortet po punojnë me kapacitet të plotë dhe rezervuarët janë nën kontroll.
“Dy investimet e bëra në vitet e fundit, dy argjinatura, ajo e Fitores dhe ajo e Cervenit, pa ato me këtë nivel të prurjeve të ujit, ne do të kishim disa mijëra hektarë të përmbytura. I kemi shpëtuar ato falë këtyre investimeve dhe kemi qenë mjaft të koordinuar. Situata është e mirë, niveli te ura e Mifolit ka rënë mbase 50 cm, nuk ka reshje, nuk do të ketë as nesër, presim që deri në mëngjes, themi të kemi një ulje edhe 1 m të ujit. Uji po tërhiqet, hidrovoret janë në punë, dhe ne jemi në punë pavarësisht motit për çdo situatë që mund të krijohet.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi në të gjitha akset rrugore, ndërsa në veri, aty ku situata paraqitet më problematike për shkak të reshjeve të dëborës, drejtuesit e automjeteve janë të detyruar të lëvizin me zinxhirë. Po ashtu, në veri të vendit ka pasur edhe shkëputje të energjisë elektrike në disa fshatra.
“Në veri ka pasur reshje dëbore dhe kjo ka sjellë shkëputje të energjisë elektrike në fshatra, që kanë qenë sot pa drita. Disa rrugë që kalohen me vështirësi, por kemi mbajtur të hapura të gjitha rrugët nacionale. Ditët në vazhdim nuk do të jenë ditë me reshje të mëdha, do të vijnë drejt shuarjes, ne jemi në krye të punëve dhe dua të qetësoj banorët që nuk do ju ndihmoi ndihma jonë”, u shpreh ministri.