Maqedoni

Rektori i UT, Zejneli u takua me profesor Nevzat Halilin, ish-liderin e partisë së parë politike shqiptare

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli e ka pritur sot në kabinetin e tij profesor Nevzat Halilin, ish-udhëheqësin e partisë së parë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së asaj kohe.

Siç njoftoi zyra për informim e UT-së, Halili e uroi Zejnelin për zgjedhjen e tij rektor i Universitetit të Tetovës, institucion ky që është përkrahur fuqishëm nga lëvizja politike të cilën profesor Nevzat Halili e udhëhiqte në vitet e nëntëdhjeta. Ai shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen që UT ka vizionin e duhur për të zgjedhur drejtues intelektualë që e njohin të kaluarën e këtij institucioni, sikundër kanë strategji edhe për të ardhmen e tij.

“Në këtë takim, Rektori i UT-së e ka falënderuar Halilin për vizitën, duke e konsideruar një mbështetje shumë të rëndësishme, sidomos kur vjen nga personalitete që i njohin zhvillimet e përgjithshme, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ecurinë e proceseve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesë.

Ai, po ashtu theksoi se, për studentët dhe komunitetin akademik, figura e Nevzat Halilit vlerësohet lartë për veprimtarinë e tij patriotike, për qëndresën përballë politikës hegjemoniste, për synimet politike dhe historike, për lirinë, barazinë dhe demokracinë e popullit shqiptar.