Maqedoni

Reisi priti në takim drejtorin e Institutit për trashëgiminë shpirtërore e kulturore të Shqiptarëve

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të hënën më 31.05.2021, në selinë e Rijasetit të BFI, i shoqëruar nga Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë pranë Rijasetit të BFI Prof. Jusuf ef. Zimeri dhe Sekretarit të Përgjithshëm të BFI H. Irsal ef. Jakupi, priti në vizitë zyrtare Prof. Dr. Skender Asani – Drejtor i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të shoqëruar nga Dr. Sevdail Demiri – Kryetar i Këshillit të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Dr. Zeqirja Ibrahimi anëtar i Këshillit të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Në këtë takim Reisul Ulema i njoftoi mysafirët e çmuar me ecurinë e Bashkësisë Fetare Islame, sfidat dhe peripecitë me të cilat përballet ky institucion. Ai gjithashtu i njoftoi edhe për planet që parashihen të realizohen në të ardhmen, duke e çuar kështu institucionin fetar islam drejt një ardhmërie më të përparuar për komunitetin mysliman në vend dhe diasporë si dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Nga ana e tij, Drejtori i Institutit njoftoi Reis Ulemanë për aktivitetet e Institutit dhe planet për kontributin e mëtejmë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të dyja palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve në të ardhmen.

Nga ana e tyre, mysafirët e falënderuan Kryetarin e BFI për kohën dhe mikpritjen. Ata e vlerësuan lart punën e palodhshme e të frytshme të Reisul Ulemasë dhe i dëshiruan atij shëndet të mirë dhe shumë suksese në udhëheqjen institucionit më të lartë islam në vend.

Me këtë rast Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u dhuroi mysafirëve tre botimet e fundit të librave të botuara nga Bashkësia Fetare Islame.