Rajon - Botë

Regjistrohen viktimat e para nga reshjet e dendura të borës në Evropën Lindore

Në Bullgari, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pjesë të mëdha të vendit.
Reshjet e dendura të borës dhe stuhitë e forta në Rumani dhe Moldavi të dielën lanë një person të vdekur dhe qindra vende mbetën pa energji elektrike, si dhe detyroi mbylljen e disa rrugëve kombëtare, thanë autoritetet.
Një burrë 40-vjeçar në Moldavi vdiq të dielën pasi automjeti me të cilin ndodhej doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, tha policia kombëtare e Moldavisë, duke shtuar se gjashtë aksidente rrugore ishin raportuar rreth mesditës me orën lokale.

“Ne u bëjmë thirrje në mënyrë të përsëritur shoferëve që të mos dalin në rrugë me makina të papajisura dhe të ngasin me shpejtësi të ulët”, tha policia moldave në një deklaratë të postuar në Telegram dhe paralajmëroi kundër drejtimit “pa nevojë urgjente”.

Në Rumani, paralajmërime të kuqe të motit u lëshuan në qarqet lindore të Konstancës, Tulcea, Galati dhe Braila ku erërat parashikoheshin të arrinin deri në 100 kilometra në orë, tha Administrata Kombëtare Meteorologjike.
Ministri rumun i Energjisë, Sebastian Burduja, i tha Associated Press të dielën se më shumë se 400 lokalitete kishin pësuar ndërprerje elektrike.

Autoritetet e urgjencës thanë se rrugët kombëtare dhe lokale në të katër qarqet u mbyllën të dielën. Zyrtarët në qarqet Konstancë dhe Braila raportuan se të paktën 69 lokalitete kishin mbetur pa energji elektrike, por se ekipet ishin vendosur për të rregulluar ndërprerjet. Paralajmërime të tjera më pak të rënda për motin u dhanë edhe në pjesë të tjera të Rumanisë.
Në Bullgari stuhitë e fuqishme dimërore sollën gjithashtu reshje të mëdha bore dhe e shtynë qeverinë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të dielën në pjesë të mëdha të vendit. Më shumë se 1,000 vendbanime, kryesisht në verilindje të Bullgarisë, mbetën pa energji elektrike të dielën, sipas kryeministrit Nikolai Denkov.

Dy persona në Bullgari kanë humbur jetën në aksidente trafiku dhe 36 kanë mbetur të lënduar nga moti i stuhishëm i 24 orëve të fundit. Erërat e forta gjithashtu mbyllën rrugët, shkaktuan aksidente trafiku dhe vonesa në udhëtim dhe rrëzuan pemë dhe linja elektrike, tha Denkov.