Maqedoni

Reforma sociale, pesë vite pas miratimit, ka dhënë efekte pozitive në praktikë

Ndryshimet ligjore për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve të miratuara nga viti 2019 kanë dhënë efekte pozitive në praktikë. Kështu kanë treguar analizat e bëra nga Fondacioni “Friedrich Ebert” dhe Asociacioni për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm “SIGA”, të cilët kanë analizuar efektet dhe qëndrueshmërinë e reformës sociale pesë vite pas miratimit.

Pavarësisht se pandemia dhe inflacioni ngadalësuan pak zbatimin e këtyre reformave, përsëri në vend vërehet praktika pozitive në këtë drejtim, sidomos në aspekt të ndihmës financiare dhe shpërndarjes së mjeteve dhe përmirësimi i pozitës sociale të njerëzve në nevojë.

“Përmes këtyre reformave ligjore është rritur numri i qytetarëve që shfrytëzojnë ndihmën financiare. Po ashtu është rritur edhe paga e ndihmës financiare dhe është përmirësuar mënyra e shpërndarjes së kësaj ndihme, pra në këtë drejtim kemi efekte të shumta pozitive, mirëpo gjatë kësaj periudhe nuk u arrit të ulet numri i qytetarëve të cilët jetojnë në varfëri dhe kjo duhet të vijojë pasi që tani ka filluar veç më të qetësohet ngadalë edhe inflacioni. Nëse bëhen edhe disa përmirësime tjera në sistemin aktual, atëherë ne kemi shanse reale që të kemi një sistem të mirëfilltë për mbrojtje sociale.”, – deklaroi profesori universitar, Vanço Uzunov.

“Mesazhi kryesor i këtij raporti është që reforma të tilla nuk duhet të përfshihen në një ngjarje të vetme, por duhet të vazhdohen dhe të mësohet nga ky sistem, duhet të dëgjohen profesionistët të ndryshëm dhe më me rëndësi është që të shfrytëzohet ky sistem sepse një numër i konsiderueshëm i njerëzve në RMV jetojnë në rrethana të vështira sociale. Andaj themi se mesazhi kryesor për të gjithë është se politika sociale është investim gjithëpërfshirës dhe me afat më të gjatë.”, – theksoi autori i Analizës, Fondacioni “FRIEDRICH EBERT”, dr. Poll Stabs.

Reformat e tilla nuk janë të rëndësishme vetëm për kategoritë e rrezikuara, por edhe për tërë sistemin shoqërorë dhe për më të pasurit, andaj është shumë me rëndësi, që çdo ndryshim ligjor të avancohet dhe përforcohet për të arritur qëllimin e fundit dhe ajo është të ulet varfëria në vend.

“Ky është një proces i rëndësishëm për tërë shoqërinë, sepse jo shpesh herë ndodh që të bëhet evoluimi i ndryshimeve ligjore të një sasie të madhe, nga ndryshimi i ligjeve për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve kemi mundësi që të shohim se a po ecin reformat në kahje të duhur dhe çfarë po shkon mirë dhe çfarë duhet të ndryshohet dhe të gjitha këto të dhënave shpresoj se do të kontribuojnë që të ndryshohet politika e caktuar, e cila për momentin nuk ka dhënë efektin e duhur.”, – u shpreh kryetari i Asociacionit “Siga”, Dushan Tomshiq.

Mesazhi i të gjithë pjesëmarrësve në debatin e kushtuar prezantimit të analizës së reformës sociale është që çështja e ndryshimeve sociale duhet të jetë në agjendën e të gjithë politikanëve.