June 21, 2024
Sport

Reagon kryetari i KF Bashkimi nga Kumanova, Armend Destani për incidentin ndaj Sasës, ka një kërkesë për Komisionin Disiplinor (VIDEO)

Reagon kryetari i KF Bashkimi, Armend Destani: Incidenti është hiperbolizuar me qëllim!

Komisioni i Garave pranë FFM-së, siç dihet, ka suspenduar terrenin e KF Bashkimi 1947 nga Kumanova për zhvillimin e ndeshjeve të ligës së dytë dhe të kupës. E gjithë kjo pas ngjarjeve fatkeqe të ndeshjes nga Liga e Dytë, kur tifozi i Bashkimit ka hyrë në fushë në ndeshjen ndaj Kamenica Sasa. Tash pritet vendimi i Komisionit Disiplinor i FFM-së për dënimin e Bashkimit nga Kumanova.

Mirëpo, sot ka një reagim nga FK Bashkimi, ku theksojnë se të gjitha informacionet për incidentin janë ekzagjeruar në opinion.

Presidenti i Bashkimit, Armend Destani, thotë se e gjithë ndeshja ka kaluar në atmosferën më korrekte, me një incident të vogël në fund, gjë që e vërtetojnë edhe deklaratat e mysafirëve pas ndeshjes, për këtë arsye pret një vendim të drejtë nga Komisionit Disiplinor.

“Në pritje të vendimit të Komisionit Disiplinor të FFM-së lidhur me incidentin e ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Kamenica Sasës, menaxhmenti i Bashkimit kundërshton ashpër të gjitha informacionet se ka pasur dhunë në Kumanovë. Kemi parë një incizim të vetë ndeshjes, por edhe deklarata të përfaqësuesve të mysafirëve se pritja, vetë ndeshja dhe largimi i të gjithë lojtarëve mysafirë si dhe zyrtarëve ka qenë sa më korrekt. Prandaj presim që Komisioni Disiplinor të mos bjerë në disa shkrime dashakeqe që ekzagjeronin një incident të vogël që nuk kishte lidhje me incidentin që ndodhi në Tetovë në mes Teteksit dhe Sasës. Besojmë fuqimisht se Komisioni Disiplinor i FFM-së do të marrë një vendim të drejtë dhe se nuk do t’i ndalojë tifozët tanë, të cilët i kemi gjithmonë në numër të madh, të ndjekin klubin e tyre në të ardhmen. KF Bashkimi garanton se në ndeshjet e ardhshme si nikoqire organizimi i ndeshjeve do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, siç ka qenë më parë ndaj Ohrit, Bellasicës dhe ndaj Pobedës” – thotë kryetari i KF Bashkimi, Armend Destani.

Ndryshe, edhe drejtuesit e Bashkimit sot kanë pranuar dorëheqjen e trajnerit të mëparshëm Florim Imeri, si një akt moral dhe dëshirë për t’i dhënë energji të re skuadrës, pas disfatës së thellë prej 7-0 në këtë xhiro ndaj Detonit Plaçkovicës.

Florim Ymeri do të vazhdojë të punojë si trajner i gjeneratës 2014/2015 në akademinë e Bashkimit, ndërsa këto ditë do të emërohet edhe trajneri i ri i ekipit të seniorëve.

LINKU: https://www.facebook.com/watch/?v=1078649396437310&extid=CL-UNK-UNK-UNK-AN_GK0T-GK1C&ref=sharing