April 27, 2024
Maqedoni

Reagojnë nga qyteti i Shkupit: “Ne nuk jemi si BDI, investojmë edhe te shqiptarët”

Burime nga Qyteti i Shkupit i kundërpërgjigjen portaleve që kanë akuzuar se nuk janë paraparë investime edhe në pjesën shqiptare në vitin 2022. “Ne nuk jemi si BDI që ua mer votat shqiptarëve dhe nuk investon për qytetarët, por investon vetëm në xhepat e veta. Ne punojmë për të gjithë qytetarët”, thonë burime nga qyteti i Shkupit.

“Në fillim të vitit 2022 qyteti i Shkupit fillon edhe me projektimin e rrethrrotullimit të ri në hyrje të Shkupit te Komuna e Sarajit dhe shumë projekte të tjera të cilat do të realizohen”, thonë mes tjerash këto burime, duke shtuar se “projekti më i madh i qeverisjes së BDI-së dhe Shilegovit ishte “Muri i turpit” në Çair.

“Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska në programin e saj katër vjeçar të Qytetit të Shkupit ka shumë më tepër projekte se pushteti i mëparshëm i cili premtoi shumë, ndërsa realizoi vetëm 5 për qind të programit të tij. Projekti më i madh i Shilegovit ishte vendosja e barrierave të betonit në “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit, i cili u quajt “Muri i Turpit” nga vetë banorët e kësaj komune. Në buxhetin e ri të Qytetit të Shkupit janë përfshirë një numër i madh projektesh për të cilat janë lidhur kontrata shumëvjeçare nga ana e pushtetit të mëparshëm lokal, dhe që janë në vazhdim e sipër por asnjë prej tyre nuk është as për Çarin, as për Sarajin. Pikërisht për këtë, Qyteti i Shkupit me buxhetin e ri fillon projektimin dhe realizimin e projekteve të parashikuara në programin për Shkupin modern, gjë për të cilën janë parashikuar mjete nga Buxheti i Qytetit për vitin 2022”, thonë ata.