April 27, 2024
Shqipëri

Reagimi në Facebook / Hipokrizia e Ramës për marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Në një shkrim të gjatë me kostumin e liderit të një vendi që do të drejtojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB, Edi Rama ka analizuar edhe marrëdhëniet e Shqipërisë mes Kosovës dhe Serbisë. Së pari, ai ka përdorur një term që e ka bërë zakon për të fshehur të gjitha hajdutllëqet në këtë vend, “edhe 100 herë po të kthehesha mbrapsht, do ta anuloja mbledhjen mes dy qeverive”.

Pra, ashtu siç ka folur për inceneratorët apo për sterilizimin, po të njëjtin standard ka përdorur edhe për goditjen pas shpine që i bëri Albin Kurtit, kur nuk i shkoi në Prishtinë në takimin e parapërgatitur mes dy qeverive. “…. ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh”, ka shkruar Rama.

Kush e mban mend fjalorin e tij në ditën që vendosi të mos shkelë në Prishtinë, ai ishte i mbushur me zezona lidhur me përplasjen e madhe të Kosovës me Perëndimin, që po rrekej ta shmangte ai, si lider global. Por sot kur kanë kaluar tre muaj nga kjo ngjarje, kushdo mund të pyesë, çfarë mund të kishte ndodhur ndryshe, nëse Rama nuk do ta kishte anuluar takimin. Çfarë shpëtoi ai me këtë akt? Çfarë do të ndodhte sikur ai qoftë edhe njëherë (jo 100 herë) të kthehej pas dhe të bënte mbledhjen me Kurtin, duke mos e goditur atë pas shpine? Për këto dilema nuk ka përgjigje. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga qershori. Prandaj pyetja nuk bëhet më “A bëri mirë Rama?”, por këshillën e kujt dëgjoi dhe kujt i shërbeu duke shpërndarë mesazhin se me Albinin nuk bisedohet dot rreth një tryeze.

Hipokrizia e dytë ka të bëjë më të njëjtin refren të përsëritur, atë të trajtimit nga Tirana zyrtare si të Prishtinës ashtu edhe të Beogradit me të njëjtën masë dhe të njëjtën peshë. Duke u hequr si i barazlarguar nga palët, kryeministri ynë shkruan: “…teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare”.

Ky qëndrim i barazlarguar, në konfliktin shqiptaro-serb, e ka bërë Ramën edhe kontradiktor me veten. Për hir të kësaj qasjeje të re, ai e ka harruar qëndrimin që mbajti në 2014 në mes të Beogradit e që e përsëriti më pas edhe në Preshevë se “shqiptarët në Serbi s’mund të kenë më pak të drejta se serbët në Kosovë“. Tani të njëjtën gjë ia kërkon Albin Kurti, që projektin sekret për asociacioni t’ia dorëzojë Vuçiçit për shqiptarët e Luginës dhe Rama hesht.

Hipokrizia e tretë dhe ajo më flagrantja është se për situatën në Veri të Kosovës, Shqipëria sillet konform me komunitetin euro-atlantik duke qenë pjestare e këtij komuniteti si anëtare e NATO-s. “Shqipëria është një anëtar përgjegjës i komunitetit euroatlantik edhe kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e veta, e jo më kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e Kosovës”, shkruan kryeministri.

Dakord, le ta besojmë për një çast si të mirëqenë faktin se Tirana nuk ka politikë të jashtme dhe se ajo konformohet me qëndrimet e SHBA dhe BE-së. Por kur ky komunitet euro-atlantik i këkonte me ngulm Serbisë që t’i vinte sanksione Putinit, pse Rama insistonte në “gabimin e vet”, duke thënë se Beogradit nuk i duhej kërkuar kjo gjë? Pra, pse kur vjen fjala për të cenuar Veriun e Kosovës, ai është në linjën e perendimorëve dhe kur duhet të mbështesë Serbinë shmanget nga kjo linjë?

Pra, duket qartë se qëndrimet diplomatike të Ramës janë të përçarta dhe shumë jo koherente. Arsyeja për këtë mund të jetë humbja e influencës mbi Prishtinën. Në këto tre dekada, udhëheqësit shqiptarë kanë pasur vlerë, në sy të perendimorëve, vetëm në raport me peshën e fjalës që kanë në raport me liderët e Kosovës. Për shkak të oreksit të tij paternalist, Rama e preu këtë urë lidhjeje me Albin Kurtin. Si pasojë e kësaj humbje ndikimi, edhe Vuçiçi është bërë më indiferent ndaj tij, sesa në kohën kur kryeministri ynë rakordohej me presidentin Thaçi. Prandaj atë që s’po e bën dot në terren, Rama po mundohet ta imponojë nga pozicioni butaforik i liderit që do drejtojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB./LAPSI