Maqedoni

Rasti i Toni Sali, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për institucionet

Vdekja e Toni Sali nga komuniteti rom, i cili nuk pati mundësinë të marrë kujdes mjekësorë pasi nuk posedonte asnjë dokument, duhet të jetë alarm për shtetin që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla. Në Komisionin Anketues për të Drejtat e Qytetarëve, ndër të tjerat u tha se numri më i madh i personave të padukshëm për shtetin janë nga komuniteti rom, ndërsa ky ishte fëmija i tretë që humbi jetën në rrethana të tilla.

“Ne jemi dëshmitarë se rreth 700 persona janë të prekur nga ky problem me mungesën e dokumenteve personale, shumica prej të cilëve fatkeqësisht janë fëmijë. Me shumë gjasë keni dëgjuar rastin tragjik që ndodhi në Shuto Orizare. Djali lindi pa identitet dhe vdiq pa identitet. Ai ishte një nga këta 700 persona dhe për fat të keq ky është fëmija i tretë që na ndërron jetë pa dokumente – u shpreh Latife Shikovska, Kryetare e Komisionit anketues për të drejtat e qytetarëve.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, tha se për të ditur se si duhet të zgjidhet ky problem, duhet të sigurohen shifra të sakta, jo vetëm për personat nga komuniteti rom që nuk kanë dokumente por edhe qytetarët e tjerë.

Edhe personalisht kam njohur persona të cilët si kanë ardhur nga Kosova fqinje nuk janë evidentuar askund, sepse kam bashkëpunuar me ata. Janë të panjohur, të padukshëm. Për njerëz të tillë dëgjuam edhe në komisionin tjetër, këta njerëz duhet të bëhen patjetër të dukshëm. E pamundur është sot të mos mund të identifikoheni si individ në një shoqëri – tha Gordana Siljanovska, VMRO-DPMNE.

Deputeti i opozitës shqiptare, Elmi Aziri, tha se shteti jo që duhet të nxitojë për zgjidhjen e këtij problemi, por madje është për disa dekada vonë. Andaj apelon tek qeveria dhe partitë e tjera opozitare që të miratojnë sa më shpejt Ligjin për shtetësinë.

Ne kemi përmend edhe shumë raste kur fatkeqësisht kanë ndërruar jetë në spitalet e shtetit dhe kufomat e tyre nuk kanë mund të nxirren ose ka pasur shumë vështirësi, për shkak se formalisht nuk kanë ekzistuar. Ne i bëjmë thirrje, i bëjmë lutje, i bëjmë apel edhe shumicës qeveritare edhe partive opozitare, që sa më shpejt ta kalojmë Ligjin për Shtetësi. E drejta e realizimit të të drejtës për shtetësi, është e drejta për realizimin e të drejtës për jetë – tha Elmi Aziri, ASH-AAA.

Këto qëndrime u shpalosën në kuadër të prezantimit të Planit Aksional për Mbështetjen e të Drejtave të Romëve në vendin tonë. Grupi ndërpartiak do të angazhohet për shqyrtimin e gjendjes faktike në terren, duke nisur nga Komuna e Shuto Orizares dhe më pas në komunat e tjera. Sipas tyre rol të rëndësishëm duhet të luajnë vetëqeverisjet lokale të cilët duhet të dinë realisht vështirësitë me të cilat përballen personat pa dokumente nga komuniteti rom dhe sa qytetarët rom gëzojnë të drejtat në arsim, shëndetësi, kulturë e të tjera.