Rasti “Alfa”, Dauti: Po zvarritet sepse nuk i kemi 11 milion euro
Dëshmitari në rastin “Alfa”, Ramiz Dauti, kërkon që me urgjencë të merret vendim për rigjykimin e rastit “Alfa”.
Sipas tij, të dënuarit në këtë rast nuk janë fajtorët e vërtetë për veprën që iu ngarkohet. Përderisa në këtë shtet po lëshohen ata që po kryejnë vepra penale dhe po japin kolltukun prej 11 milion euro, është e padrejtë që mos të iniciohet rigjykimi i këtij rasti, shprehet Dauti.
“Apeli i drejtohet direkt Gjykatës Themelore, aty ku është aktualisht rasti ynë, apo lënda jonë, për t’u punuar, për t’u marrë vendimi me fakte të reja për rigjykim. Edhe gjithë ndërkombëtarëve që janë në Maqedoni, me zyrat e tyre, edhe krejt opinionit publik, krejt njerëzve të cilët e duan drejtësinë. Arsyeja është ajo që ditëve të fundit i kemi parë edhe vet u lëshuan të gjithë ata që kanë kryer vepra penale me dënime kapitale nga 20 vjet dhe tash ne kërkojmë me urgjencën më të madhe që të merret vendimi i rastit tonë.”,- deklaroi dëshmitari, Ramiz Dauti.
Në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti “Alfa” ndodhi më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, ku jetën e humbi polici shqiptar nga njësiti “Alfa”, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.