Analiza

Raportime të njëanshme në media mbi bllokun opozitar shqiptar

A pati raportime të njëanshme mbi zhvillimet në bllokun opozitar shqiptar? Si raportojnë mediat e afërta me BDI-në dhe ato me prirje opozitare lidhur me Frontin opozitar? Pse mediat pro BDI-së zgjodhën të kundërshtojnë opozitën shqiptare përmes Zejdit dhe Hoxhës? Cila ishte qasja e mediave në gjuhën maqedonase? Si u përdor debati parlamentar midis Afrim Gashit dhe Arbër Ademit për propagandë politike?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Para disa viteve, pas daljes në skenën politike të Lëvizjes për Reforma PDSH, e cila më pas do të transformohet në partinë Aleanca për Shqiptarët, zhvillimet brenda spektrit politik opozitar shqiptar kanë qenë një nga temat që ka dominuar hapësirën informative të mediave në Maqedoninë e Veriut.

Debatit mbi tentimet për bashkimin e opozitës shqiptare dhe arritja e koalicioneve të pjesshme, e më edhe pas përçarjet në Lëvizjen BESA e kanë marrë vëmendjen e mediave, sidomos të atyre në gjuhën shqipe, që është rezultat i faktit që sistemi mediatik, ngjashëm si ai politik është i etnizuar.

Nuk ka ndodhur ndryshe as edhe lidhur me zhvillimet e fundit në hemisferën opozitare të shqiptarëve, e cila në një pjesë të madhe të mediave që kanë politike editoriale proopozitare ose edhe neutrale prezantohet si Fronti opozitar, ku bëjnë pjesë Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit (parti e sapokrijuar pas shkëputjes nga Bashkimi Demokratik për Integrim), BESA dhe partia Alternativa.

Mediat pro dhe kundër bashkimit opozitar shqiptar

Një pjesë e mediave shqipe kanë qenë të parat që kanë raportuar lidhur me takimin e liderëve të tri partive opozitare shqiptare.

Portali Tetovasot, i cili ka politikë editoriale pro Bashkimit Demokratik për Integrim, një ditë pas takimit të liderëve opozitarë ka publikuar komentin redaksional me titull “Me ‘BDI-në e “korruptuar” apo me opozitën e përçarë?”. Në titull BDI emërtohet e korruptuar në thonjëza, ndërsa brenda komentit quhet BDI a aferave të korrupsionit pa thonjëza:

“Politika shqiptare sot përbëhet nga një BDI aferash korrupsioni dhe opozitën e përçarë që ka humbur në një labirinth politik aq sa mundohen armiqtë e së djeshmes të bëhen aleatë të së sotmes për të shpëtuar karrierat politike dhe për t’ua zënë frymën të ardhmes që mvaret nga t’a dhe ASH-në e Selës dhe Llogës që janë futur në ëndrrën korruptive të BDI-së e që Taravari shiqon nga Gostivari i vetmuar dhe i pafuqishëm ndaj dyshes nga Struga.

Në BDI po bëhet “lufta” për territore, dhe luftë kush më shumë do ta lëvdërojë liderin dhe kush do të qëndrojë më afër liderit për tu fotografuar me të e duke treguar muskujt në parti se unë jamë më i fortë se ti.

Po populli, ai që po e braktisë frikshëm këtë vend, kujt duhet t’i besoj sot BDI-së së korruptuar, opozitës së përçarë apo ASH-së së Strugës që ëndërron të bëhet si BDI-ja e korruptuar?”

Hoxhës dhe Zejdit i jepet hapësirë e madhe në portalet e afërta me BDI-në

Portali Tetovasot në funksion të minimizimit të krijimit të frontit opozitar publikoi deklaratën e ish – deputetit të partisë Alternativa, i cili vepron në Kuvend si i pavarur, Skender Rexhepi Zejd, i cili shfaq dyshimet e tij mbi kapacitetin e tshit opozitar. Shkrimi në të cilin publikohet kjo deklaratë mban titullin “Zejdi: Kam rezerva për suksesin e “trojkës” Kasami, Mexhiti, Gashi.”

Në linjën e kundërshtimit të bllokut opozitar shqiptar është edhe shkrimi i gazetës së përditshme “Koha” e titull “Akrobacione që shkaktojnë ndarje!”,

Ky shkrim fillon me deklaratën e ish-sekretarit të përgjithshëm të Lëvizjes BESA, Arijanit Hoxha, i cili përmes një statusi në Fejsbuk njoftoi distancimin e plotë nga veprimet politike në, siç e quan gazeta, “të ashtuquajturin bllok opozitar”.

Më tej, shkrimi pasqyron qëndrimin e analistit Blerim Hyseni, i cili thotë:

“Po dëshmohet se tendenca për të fragmentuar skenën politike shqiptare në Maqedoni dhe tani më ajo është shumë e fuqishme, madje ndoshta më e fuqishme se asnjëherë më parë. Me apo pa vetëdije këto veprime po çojnë ujin në mulli të huaj sepse rezultati zgjedhor do të dëshmojë se të gjitha këto lëvizje do të dëmtojnë rënd trungun e elektoratit shqiptar.”

Më tej ky shkrim prezanton qëndrimin e analistit Agim Jonuz, i cili ngjashëm si Hyseni është i mendimit se nuk ka nevojë për parti të reja shqiptare, që flet se ky shkrim është i pabalancuar:

“Blloku politik shqiptar përgjatë kohë është jashtë filozofisë “për një kauzë dhe mision të përbashkët”. Sipas tij, e gjithë kjo është një kombinatorikë në të cilën po zhvillohet betejë për kapjen e “pozicioneve”, ku ajo shihet si fuqi, kontroll dhe menaxhim të terrenit. “Çfarëdo analizë filozofike, përveç luftës për pozicione është e gabuar. Shqiptarëve në Maqedoni absolutisht nuk u duhen më shumë se dy parti, njëra prej të cilave do të ishte në Qeveri dhe një tjetër që do të ishte gjithmonë në opozitë si korrigjuese”, deklaroi Jonuz.

Portali i afërt me BDI-në Index.mk, duke dashur të denigrojë themelimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, publikoi titullin “Lëvizja” e Izet Mexhitit e krijuar nga fustanat e nusërisë”, ndërsa Izet Mexhitin e quan “nismëtari i bashkimit të siç thonë analistët “trojkës së VMRO-së”. Ky shkrim ka shpjeguar se si ka evoluar faqja e partisë së re në Fejsbuk. “Emri i parë i kësaj faqe ka qenë fillimisht “Fustana Nusërie”, pas kësaj ajo ka ndryshuar edhe disa emra dhe në fund ka marrë emrin, Lëvizja”, shkruan Index.mk.

Ndërkohë, portali Pressonline publikoi shkrimin me titull ” “Blloku opozitar”, Jonuzi për KDP: Rezultati do të jetë dëshprues për “rebelët” të cilët nuk e dëgjojnë babën“. Në fakt, bëhet fjalë për transmetimin e deklaratës së gazetarit Destan Jonuzi, i cili për KDP deklaroi se “Deputeti Skender Rexhepi publikisht ka shprehur mospajtimet e tij, ndërsa edhe degë të caktuar refuzojnë “bllokun” e Afrim Gashit me Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin. Me gjithë këtë polarizim politik, rezultati do të jetë dëshprues për “rebelët” të cilët nuk e dëgjojnë “babën”. Madje disa prej tyre, e kanë mirë të njohur proverbën se “djali para babës nuk del”.

Në të vërtetë, titulli i Pressonline vë theks vetëm në njërën nga deklaratat e shkrimit të publikuar në portalin KDP me titull korrekt, i krijuar në formë të pyetjes “Bashkimi i opozitës: “E treta e vërteta”, apo edhe një tentim i dështuar?“. Në këtë tekst, transmetohen edhe qëndrimet e politikanëve opozitarë Gashi, Kasami, Mexhiti, Arianit Hoxhës, si dhe vështrimi i gazetarit dhe politkologut Xhenur Iseni.

Në portalet në gjuhën maqedonase ka pasur raportim korrekt mbi zhvillimet në opozitën shqiptare. Kështu portali Mkd.mk raportoi me titullin “Takim i ri midis Mexhitit, Kasamit dhe Gashit, është e mundur lista e përbashkët“. Në raport citohet lideri i BESË-s, Kasami i cili u shpreh “ka mundësi që opozitarët të kenë listë të përbashkët”.

Me titullin “Tentim për bashkimin e bllokut opozitar shqiptar – Gashi, Kasami dhe Mexhiti ulen në tavolinën e njëjtë” kanë raportuan disa media: Makfax, Skopje 1, Tocka.

Debati Gashi – Ademi në Kuvend në funksion të propagandës politike

Në anën tjetër një debat i ashpër me tone të larta mes liderit të Alternativës, Afrim Gashi dhe deputetit të BDI-së, Arbër Ademi në media dhe sidomos në të afërtat me BDI-në është prezantuar me zë dhe figurë, ndërsa në video shfaqet reagimi i Gashit, i provokuar nga deputeti Ademi, që në fakt ka qenë video e përgatitur nga Televizioni Klan Maqedonia.

Në raportime thuhej “E derisa po fliste kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, deputeti i BDI-së, Arbër Ademi ndërhynte. E kjo e nervozoi si duket kreun e Alternativës. “Mshele gojën, mshele gojën kur jam tu fol une, të lutem, kujdes kulturë elementare duhesh me tregu, turp, idiot…” – thotë gjatë fjalimit të tij Afrim Gashi derisa i drejtohet me gisht deputetit Ademi.

Me narrativ të njëjtë kanë raportuar Tetovasot, Zhurnal, Aktuale, Almakos etj.

Ngjashëm edhe TV 21 ka raportuar me titullinMshele gojën kur flas unë, idiot”, devijon debati mes Afrim Gashit dhe Arbër Ademit“.

Një pjesë kanë raportuar me konotacion politik, pra që të paraqesin imazhin negativ të Gashit, ndërsa një pjesë kanë raportuar duke marrë qasje sensacionaliste që sjell klikime.

Përfundime

Si për shumë çështje tjera, edhe sa i përket bllokut opozitar shqiptar mediat në gjuhën shqipe kanë qenë të ndara, duke përvijuar dy linja editoriale. Njëra që mbështet fuqishëm Frontin opozitar mes Lëvizjes Demokratike, Lëvizjes BESA dhe Alternativës, duke e parë si opsion konkurrent ndaj BDI-së dhe që jep shpresë për zhvillim, dhe e dyta – se bashkimi opozitar fragmentarizon politikën shqiptare, duke ulur potencialin e saj, gjë që do të reflektohet me uljen e numrit të deputetëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mediat e afërta me BDI-në në funksion të propagandës anti-opozitare kanë përdorur deklarimet e dy ish-eksponentëve të Lëvizjes BESA, Arijanit Hoxha dhe Skender Rexhepi – Zejd, të cilët me ngulm kundërshtojnë treshin opozitar, ndërsa tashmë kanë paralajmëruar formimin e dy subjekteve të veçanta politike.

Ndërkohë, një debat i ashpër parlamentar mes Afrim Gashit dhe Arbër Ademit është prezantuar në dritën politike, që flet se në garën politike nuk do të kursehen mjetet për të përfituar zgjedhësit.

Ajo që mund të vërehen nga hulumtimi i përmbajtjes gazetareske, në mediat në gjuhën maqedonase ka pasur raportim korrekt dhe të balancuar mbi zhvillimet në opozitën shqiptare.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut