Raport për gjendjen dhe kushtet në burgjet e vendit në vitin 2022
Përmirësim të kushteve materiale në një pjesë të institucioneve ndëshkuese – përmirësuese si dhe përpjekjet për edukimin e stafit dhe përfundimisht vënia në punë e Qendrës për Trajnim në Idrizovë, tregon Raporti për gjendjen dhe kushtet në institucionet ndëshkuese – përmirësuese dhe edukative në vitin 2022 të përgatitur në kuadër të projektit “Lufta kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor”, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
Përkundër ndryshimeve pozitive, siç theksohet në Raport, ekzistojnë ende mangësi sistemike.
“Bashkëpunimi ndërsektorial ndërmjet institucioneve kompetente është në nivel të ulët dhe problemet më urgjente mbeten qasja në kujdesin shëndetësor, në arsim, korrupsioni, kushtet nën standarde të jetesës në disa prej institucioneve ndëshkuese – përmirësuese, si dhe mungesa e kushteve adekuate për zbatimin e programeve të risocializimit, por edhe për aktivitete të lira dhe profesionale të personave të dënuar”, citohet në Raport.
Raporti përmban edhe rekomandime për çdo institucion ndëshkues – përmirësues, si dhe rekomandime të përgjithshme për institucionet kompetente që synojnë përmirësimin e gjendjes dhe kushteve në institucionet ndëshkuese – përmirësuese dhe edukative korrektuese.
Raporti rekomandon që Ministria e Arsimit urgjentisht dhe menjëherë të organizojë dhe financojë plotësisht procesin edukativo-arsimor në Institucionet Ndëshkuese – Përmirësuese (INP), duke ndryshuar nenin 16 paragrafin 3 të Udhëzimit për përgjegjësinë disiplinore për fëmijët që i nënshtrohen masës edukative, i cili nuk e lejon fëmijën të parashtrojë ankim kundër vendimit për masën disiplinore të shqiptuar, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të marrë masa për përmbushjen e detyrimeve të qendrave kompetente për punë sociale për mbështetjen e fëmijëve të cilëve iu nënshtrohen masës edukative korrektuese dhe ndihmën e tyre pas dënimit. Gjyqtarët për fëmijë kërkohet që të kryejnë vizita të rregullta në shtëpinë edukative korrektuese për të parë se çfarë efekti ka masa e marrë mbi fëmijët dhe risocializimin e tyre.
Në rekomandime theksohet se Ministria e Shëndetësisë duhet t’u mundësojë mjekëve dhe infermierëve të INK-ve qasjen në Sistemin Kombëtar të Regjistrimeve Elektronike në Shëndetësi – Termini im, trajnimin e mjekëve të këtyre institucioneve për parandalimin dhe varësinë nga droga, duke përfshirë varësinë jatrogjenike nga përdorimi i tepërt i qetësuesve dhe hipnotikëve si dhe për vlerësimin dhe trajtimin e barnave, duke përfshirë opiatet dhe gjendje të tjera shoqëruese psikiatrike.
“Është e nevojshme të sigurohet një program trajtimi për të miturit me çrregullime nga përdorimi i drogës, duke përfshirë barnat opiate dhe protokollet e trajtimit për të siguruar trajtim njerëzor dhe mungesë të vuajtjes nga simptomat apstinenciale, psikoedukim dhe monitorim dhe vlerësim të rregullt të gjendjes gjatë detoksifikimit nga qetësuesit/medikamentet e gjumit. Në rastin e një varësie të zhvilluar ndaj këtyre barnave, trajtimi duhet të kryhet nga një psikiatër fëmijësh në kushte spitalore ose ambulatore në varësi të gjendjes klinike me ndjekjen e nevojshme të trajtimit dhe kujdesit afatgjatë psikosocial për parandalim dhe rikthim të saj, gjë që mund të ndodhë në një përqindje të madhe për shkak të natyrës së sëmundjes. Është e nevojshme mbajtja e të dhënave mjekësore të rregullta, të sakta dhe konfidenciale, psikoedukimi i fëmijëve për rrezikun e përdorimit të tepërt të qetësuesve dhe pilulave të gjumit; psikoedukimi i fëmijëve për rrezikun e mbidozimit pas abstinencës së suksesshme nga droga (opiatet), sigurimi i antidoteve për opiatet dhe benzodiazepinat, si dhe testet e shqyrtimit për hepatitin B dhe C dhe HIV”, citohet në Raport.
Në rekomandimet e përgjithshme në Raport theksohet se nevojitet zbatimi adekuat i rregulloreve ligjore dhe nënligjore nga të gjitha institucionet kompetente në fushën e sistemit penitenciar, sigurimi i kushteve materiale të përshtatshme dhe humane në të gjitha institucionet penitenciare nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, sigurimin e qasjes adekuate në kujdesin shëndetësor parësor dhe dytësor nga Ministria e Shëndetësisë, organizimin dhe financimin e plotë të procesit arsimor nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Ministrinë e Drejtësisë dhe Institucionin Ndëshkues- Përmirësuese, sigurimin e kushteve për zbatimin e programeve të risocializimit në të gjitha institucionet ndëshkuese-përmirësuese, forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të personelit të punësuar në këto institucione, përcaktimi dhe miratimin e një numri të mjaftueshëm burimesh financiare nga Ministria e Financave për të mundësuar funksionimin pa pengesa, adekuat dhe më të mirë të institucioneve ndëshkuese- përmirësuese, si punësimi i stafit të ri, promovimi i stafit ekzistues, përmirësimi i kushteve materiale, kryerja e trajnimeve, etj.
Raporti tregon zgjidhjen afatgjatë të problemit të mbipopullimit në këto institucione, si dhe përmirësimin e përfaqësimit gjinor në kuadër të stafit të punësuar në institucionet ndëshkuese- përmirësuese.
Për qëllime të projektit është lidhur memorandum për bashkëpunim ndërmjet Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj dhe Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Konstatimet në Raport, siç thuhet nga Komiteti i Helsinkit, bazohen në vizitat e kryera nga ekipi monitorues, i cili gjatë vizitave ka inspektuar ambientet e institucioneve ndëshkuese dhe përmirësuese dhe ndëshkuese dhe edukuese, ka ofruar ndihmë juridike dhe këshillim psikiatrik falas për të dënuarit si meshkuj ashtu edhe femra, zhvilloi një bisedë pothuajse me të gjithë drejtuesit e institucioneve si dhe me punonjës të policisë së burgjeve, punonjës socialë, psikologë, avokatë etj.
Vizitat vijuese në terren janë realizuar në katër institucione ndëshkuese- përmirësuese në të cilat numri më i madh i mangësive janë vërejtur gjatë realizimit të vizitave të rregullta, përkatësisht në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Idrizovë, INP Shtip, INP Kumanovë dhe INP Tetovë.