May 24, 2024
Kosovë

Ramush Haradinaj: Albin Kurti po e vjedh bukën e popullit!

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sërish ka kërkuar shkarkimin e kryeministrit Kurti pas arrestimeve të sotme lidhur me aferën e rezervave shtetërore.

Ai thotë se Kurti po e lufton sistemin e drejtësisë së vendit e vet për “dosllarët” e krimit dhe mediat e vendit e vet që “po ia zbulojnë hajnitë”.

“Ç‘është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron “dosllarët” e krimit! Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato ia zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me “borën e parvjeme”! Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni za, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj për këtë rast ka reaguar edhe më herët ku tha se “thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”.

Për aferën e rezervave shtetërore në MINT, sot policia ka arrestuar dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një afarist për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre.