Kosovë

Ramadan Idrizi u kthye nga Gjermania dhe po e zhvillon me sukses biznesin e tij

Ramadan Idrizit i duhen rreth 10 ditë punë e angazhim intensiv për të përfunduar instalimin elektrik në një shtëpi standarde banimi.

Në të shumtën e kohës, ai punon vetëm, duke nxituar nga një kënd shtëpie në tjetrin, për të përfunduara punën në kohë. Përpikëria është ajo që e karakterizon Ramadanin dhe punën e tij tash e 20 vite prej kur ai ushtron profesionin rreth instalimeve elektrike.

Ramadani kohë pas kohe angazhon edhe punëtorë të tjerë për të lehtësuar arritjen e objektivave të punës, posaçërisht gjatë verës kur kërkesat e klientëve të tij rriten intesivisht.

Familja e Ramadanit jeton në Viti dhe përbëhet prej gjashtë anëtarëve dhe ai është i vetmi i punësuar. Ka katër fëmijë të cilët ndjekin shkollimi në Kosovë dhe synojnë të zhvillojnë karrierën në profesionet e zgjedhura.

Në vitin 2016 Ramadani me tërë familjen ishin riatdhesuar nga Gjermania pas dy vitesh qëndrim atje. Pas rikthimit në vendlindje, Ramadani nuk i ishte ndarë profesionit të elektricistit. Tani ka biznesin personal dhe arrin të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për veten dhe familjen.

Për hapjen e biznesit të tij Ramdani është ndihmuar nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë. Ai është njëri nga rreth 170 përfituesit e Programit të Vetëpunësimit të mbështetur në vitin 2020 të cilët po udhëheqin bizneset e tyre suksesshëm, përkundër sfidave të pandemisë.