Shqipëri

Rama: Sulm i organizuar për të dëmtuar turizmin në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është ndërmarrë një sulm i organizuar për, siç u shpreh ai, të goditur turizmin në shtetin e tij.

Kjo deklaratë, e bërë gjatë një takimi me kryetarët e 61 bashkive në Shqipëri, u bë pasi në rrjetet sociale së fundi janë publikuar dhe shpërndarë fotografi dhe video të plazheve boshe apo me pak pushues në Shqipëri.

“Të jeni të vetëdijshëm se ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sulmi vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Ka shumë profile false që përdoren për këtë sulm”, deklaroi Rama më 17 korrik.

Sipas Ramës, Shoqata Evropiane e Udhëtimeve, sipas klasifikimit të fundit e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë me 86 për qind rritje të fluksit të udhëtimeve. Shqipëria pasohet nga Serbia me 48 për qind, Mali i Zi dhe Turqia.

Kryeministri shqiptar po ashtu tha se është i pabazë pretendimi i disa ekspertëve të turizmit se shtetasit e Kosovës e kanë ‘braktisur’ Shqipërinë.

“Nga janari në qershor janë 1.7 milion hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25 për qind më shumë se vjet”, tha Rama.

Megjithatë, ai e pranoi se sektori i turizmit ka disa problematika për të cilat, kryeministri shqiptar kërkoi të merren masa për t’u adresuar në kohë.

Kryeministri iu drejtua kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës, ku janë raportuar çmime të larta krahasuar me një vit më parë, duke kërkuar që ata të bisedojnë me operatorët turistikë për këtë problematikë.

“Duhet t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë”, tha Rama gjatë takimit.

Ai tha se kjo ka ndodhur për shkak se turistët e huaj e konsideruan Shqipërinë një destinacion të lirë, por shtoi se kjo do t’i dëmtojë këta operatorë turistikë, kryesisht në jug të Shqipërisë, por edhe gjithë turizmin.

Një tjetër çështje që e cilësoi shqetësim për turizmin është ndotja. Rama tha se ka përmirësim krahasuar me një vit më parë, por sërish ndotja mbetet problematike. Si shembull ai mori Liqenin e Komanit, në veri të Shqipërisë.

“Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë. Do ta çojmë edhe ushtrinë për ta pastruar. Por, kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro, s’mund të vazhdojë”, tha ai.

Komani, liqenit që ndotja ia rrezikon bukurinë
Fotogaleri
Komani, liqenit që ndotja ia rrezikon bukurinë

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qeveria shqiptare, nga janari i këtij viti deri në qershor vendin e kanë vizituar 4.5 milionë turistë ose 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, më 2023 Shqipëria regjistroi një numër rekord turistësh prej 10.1 milionësh./REL