Shqipëri

Rama nga Aeroporti i Kukësit: Më mungon Hashim Thaçi, vëllai i madh i shqiptarëve

Sot është kryer me sukses ulja e avionit të parë në aeroportin më të ri në Shqipëri, “Zayed-Flatrat e Veriut”. Avioni i “Air Albania”, u nis nga Londra, ndaloi në Rinas, aty ku hipi kryeministri Shqipërisë, Edi Rama e më pas vazhdoi fluturimin drejt Kukësit.

Rama në fjalimin e tij derisa tregoi për rëndësinë e hapjes së aeroportit që thotë se do të ndikojë në ekonominë e vendit foli edhe për historinë e Kosovës dhe lidhjen e shqiptarëve nga Kosova me Kukësin.

I pari i Shqipërisë në këtë ditë të madhe të cilën e quajti para të pranishmëve, pati edhe fjalë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e quajti ndër njerëzit e mëdhenj të shqiptarëve për të cilin thotë se do të shkruaj edhe historia.

Në Aeroportin e Kukësit gjithsecili vizitorë do të mund të sheh brenda kësaj godine historinë e Kosovës, e madje aty është vendosur edhe një fotografi e ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.

Rama tregoi domethënien e emrit të këtij aeroporti.

“Sot është vërtetë një ditë fantastike për Kukësin, Shqipërinë për Kosovën dhe për gjithë shqiptarinë. Në radhë të parë unë dua të jap një shpjegim se kam parë që pyesin se çka është ky emër. Ky aeroport quhet Zayed-Flatrat e veriut sepse ky nuk është thjesht një aeroport i ri por është njëkohësisht edhe një vend kujtese dhe godina e këtij aeroporti është edhe një tempull i kësaj toke, i kësaj zone por edhe të këtij komunitetit të madh shqiptarësh nga Prishtina në Tiranë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Sepse pikërisht në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulen nga shtëpitë me dhunë, viktima të pastrimit etnik dhe u dynden drejt Shqipërisë, ku Kukësi ishte stacioni më i populluar”, tha Rama.

Rama tregoi edhe domethënien e “Zayed” është në nderim të emrit të familjes së princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili ka dhënë një ndihme të madhe gjatë kohës së luftës ë Kosovë.

“Dhe në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota por midisi tyre erdhi edhe dikush që sot është princi i kurorëve të Emirateve të Bashkuara që është i biri i një prej burrave më të urtë që ka njohur kjo botë sheikut Zayed i cili me mençurinë e tij me largpamësinë e tij, me një vizion gjenial arriti t’i jap jetë atyre që ne sot njohim si Emirate të Bashkuara Arabe. Nga ai që sot është kryeministri i Dubait ishin të dy të rinj dhe erdhën këtu për t’u kujdesur për refugjatët e luftës dhe plaku i urtë kishte dhënë urdhër sapo kishte parë fillimin e valës së pastrimit etnik që urgjentisht të hapet pista dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie të jashtëzakonshme solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë dhe gjithë forcën e dashurisë e përkujdesjes për t’i mbijetuara barbarisë së spastrimit etnik. Dhe prini i kurorës e kujton edhe sot kur ai shihte këtu i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste të njëjtën gjë ‘bir të lutem që të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave dhe që asnjë familjes mos t’i mungoj ushqimi e uji dhe mbi të gjitha bënin kujdes që në shpërndarjen e këtij solidaritetit askush të mos ndieje një dallim”, tregoi tutje Rama.

Ndërkaq ai shpjegoi edhe “flatrën e veriut”. Ai tha se në Kukës është shkruar historia më tragjike e popullit shqiptar por edhe historia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila siç tha Rama solli pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës. Rama tregoi se në muret e godinës janë vënë fotografi të cilat tregojnë gjithë historia shqiptare.

“Nga ana tjetër aeroporti është i flatrave të veriut sepse këtu në veriun e Shqipërisë, këtu në Kukës është veriu i Shqipërisë por nga Kukësi, prej andej nga erdhën motrat e vëllezërit tanë është gjithë veriu i shqiptarisë dhe këtu u shkruajt një nga historitë më tragjike por edhe me fundin më të lumtur. Historia e spastrimit etnik por edhe historia e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që solli të paimagjinueshmen, lirinë dhe pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës. Për këtë arsye ju do të shikoni brenda aeroport do të gjeni jo vetëm një kontribut për atë që ishte ideator i listës së solidaritet por edhe një atribut për ata që ishin në atë kohë shëmbëlltyra e dhimbjes, vuajtjes dhe një tragjedie që nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe njëkohësisht shëmbëlltyra e një rezistence e cila është pjesë e karakterit të shqiptarëve që ne kurrë nuk duhet ta humbasim. Aty brenda çdo i huaj që do të vijë, pa pasur nevojë të di historinë mjafton të bëjë rrugën nga hyrja e deri në dalje të aeroporti dhe do ta kuptojë dhe do të shoh nëpër mure se ka ardhur në një tokë ku është shkruar një faqe e shenjtë e historisë shqiptare”, është shprehur Rama.

Në këtë ditë Rama foli edhe për Hashim Thaçin të cilin e quajti vëlla të madh të tijin por edhe të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë rast dua të ndajë diçka që më mungon shumë sot, dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj dhe jam i sigurt që historia të tillë do ta konsideroj, më mungon shumë diskush që është një prej shqiptarëve të mëdhenj, jo që është vëllai im por është vëllai im sepse është një prej shqiptarëve të mëdhenj është Hashim Thaçi. Dhe prej këtu nuk di a më ndje dhe a do të mund të më ndjek por do të dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe do të dëshiroja t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i jashtëzakonshëm i historisë shqiptareve, momenti kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova të ulur së bashku i hapën rrugë procesit të pakthim të çlirimit përfundimtar të Kosovës”, është shprehur kryeministri Rama.

Ai më pas foli për rëndësinë ekonomike të aeroporti duke thënë se do ky aeroport t do të jetë motor i fqishëm për zhvillim e mëtejmë të vendit.

“Aeroporti i Kukësit është sot një motor i ri dhe i fuqishëm për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social. Sot ne fluturuam nga Tiran për Kukës sepse sipas rregullave të Aviacionit Ndërkombëtar, çdo aeroport nga momenti kur bëhet operacional fillon si një aeroport lokal dhe ka një procedurë që për t’iu bërë aeroport ndërkombëtar zgjat 50-60 ditë dhe pasi të bëhet certifikimi si aeroport ndërkombëtar”, theksoi Rama.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” do të ketë një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit.

Terminali zë një faqe prej 3500 m2, ka 2 portat hyrëse dhe brenda saj edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët.