Opinion

Rama, Borrelli dhe Lajçaku janë në një linjë me Putinin dhe Vuçiqin

Shkruan: Sherif Ramabaja

Shumë politikanë me ndikim të EU e pranojnë haptas se EU është vetëm një Tigër prej letre. Është një gjigant financiar, por roli i saj politik është baras me zero.

Po mos të ishin SHBA, Ukraina tashmë do të ishte e pushtuar dhe si akt i mbyllur dhe i harruar. Pse? Kryesisht nga oportunizmi dhe pafuqia e EU. Në fillim Gjermania si ndihmë ushtarake Ukrainës ia kishte detikuar 5000 helmeta. Kjo ishte qesharake, që sot edhe politikan gjerman e kujtojnë me keqardhje.

Sot kur e marrim rolin e ndërmjetësimit të EU, në mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu po i shohim deficitet e saj. Si emisar të bisedimeve janë caktuar dy personalitete, nga vendet të cilat e refuzojnë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Çfarë mund të thuash tjetër për ta? Apo çfarë ndihme pret prej tyre? Që të dy, herë haptas e herë fshehtas, e përkrahin Serbinë, duke e fajësuar Kosovën.

closevolume_off
Kosova për fat të keq është e paaftë në këtë rast të reagoi apo të kundërshtoi, sepse zëri i saj has në vesh të shurdhër.

Në këto momente kur Kosova ballafaqohet me presione të fuqishme, edhe pse është në të drejtën e saj legjitime, del kryeministri Rama si një fantazmë dhe bëhet i parë në sanksionimin e Kosovës. Apo formon draft – statut, apo në vizitën që e bëri tash së fundit në EU, propozon konferencë ndërkombëtare mbi Kosovën, duke u përputhur tërësisht me qëllimet e Serbisë.

Pra Kosovës, në vend se në këto momente të vështira për ruajtjen e tërësisë territoriale ti gjendej pranë shteti amë, ndodh e kundërta. Penalizohet nga Piktori i cili vihet në shërbim të Vuçiqit, Borrelit, Lajçakut dhe kujdo tjetër, por jo në të mirë të Kosovës.

Shtohet pyetja se çmund të bëjë Kosova në këto raste të vështira dhe e vetmuar?

Ka zëra të arsyes sidomos nga Anglia, kongresmen amerikan dhe parlamentar evropian që po e thonë të vërtetën, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Të priten ndryshime në politikën e EU është po ashtu vështirë, sepse Borrel e dënon agresionin rus ndaj Ukrainës, angazhohet për sanksione ndaj Rusisë dhe e përkrah po ashtu politikën amerikane ndaj Rusisë, por askush nuk i llogarit veprimet e tij ndaj Kosovës.

Po ashtu Lajçak është një figurë të cilit nuk i shihen këmbët. Mundohet të mbajë një balancë që të mos hetohet, por fshehtas vepron dhe ia tërësisht në anën e Vuçiqit dhe Serbisë.

Rama dhe Abazoviqi janë dy figura tragjikomike që e ke vështirë t´i radhitësh dikund, por me vetëdije apo pa vetëdije, shumica i vlerëson, se e marrin rolin e Esad Pashës. Që të dy qëndrojnë haptas në anën e Vuçiqit dhe angazhoheshin për Ballkanin e Hapur, projekt serbo – rus.

Tash që të dy, më shumë apo më pak, angazhohen për deeskalim në Veriun e Kosovës, po kuptohet duke i denuar aksionet dhe veprimet e Kosovës, ndaj bandave kriminale serbe. Me preteks se nuk po i përfillni rekomandimet ndërkombëtare.

E tërë kjo bëhet haptas, me të vetin qëllim, që personalisht të përfitojnë vetë në arenën ndërkombëtare, duke i demtuar interesat afatgjata të kombit.

Kosova momentalisht duhet ta mbroj qëndrimin e saj. Të angazhohet për deeskalacion, por duke e mrojtur interesin e saj nacional dhe të pres ditë më të mira, në ndryshimin që pritet të ndodhë në relacionin Ukrainë – Rusi. Gjërat pastaj vetvetiu do të ndryshojnë, me rënjen nga skena të figurave politike, të cilat edhe EU po e mbajnë peng.