Qytetarët reagojnë për rritje të çmimeve, frikohen nga shtrenjtime të reja
Çmime më të larta dhe më pak produkte në tryezë. 1,000 denarë nuk mjaftojnë për një familje katër-anëtarëshe, që të kalojë dy ditë me produkte modeste, pa blerë mish. Këto janë ankesat e qytetarëve që thonë se buka, gjalpi, grosha dhe orizi janë produktet elementare që mund t’ia lejojnë vetes.
“Shëtis si pensionist dhe shoh se në të gjitha marketet ka ndryshime të çmimeve.”, – u shpreh një qytetar.
“Produktet elementare: vezë, vaj, makarona, sheqer, ato ende nuk kanë ndryshuar, çmimet tjera janë rritur.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Kemi ruajtur ushqimin paraprakisht, por shoh se ka rritje të çmimeve.”, – tha një qytetar.
Për dallim prej marketeve zinxhir, marketet më të vogla deri më tani ofrojnë çmime të njëjta apo minimalisht të rritura. Por, sërish paralajmërojnë se rritja e çmimeve do të ndikojë te furnizuesit.
“Për momentin nuk kemi rritje të re të çmimeve dhe shpresoj se kjo do të mbetet kështu. Gjithçka varet nga furnizuesit e ushqimit, se si ata do të veprojnë, por mendoj se nuk do të ketë rritje të madhe për shkak të blerësve dhe për shkak të krizës që po mbretëron.”, – theksoi udhëheqësja e një marketi, Elizabeta Maneva.