Qytetarët harxhohen për festa, pastaj i kaplon depresioni
Shumica e popullsisë në vend kalon në periudhë depresioni pas festave. Sipas psikologëve, shkaqet ekonomike çojnë më së shumti në këtë depresion, duke pasur parasysh se qytetarët para festave bëjnë shpenzime të shumta dhe si pasojë e ndjejnë që muaji janar është tejet i zgjatur.
“Duke e ditur se në popullatë janari njihet si një muaj më i gjatë, duket në këtë formë për arsye që një përqindje më e madhe e popullatës janë duke e kaluar një periudhë në depresion, siç dihet depresioni pas festave, por nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Sipas statistikave të fundit është paraparë se rreth 64 për qind të personave janë duke kaluar ankth ose të themi depresion pas festave dhe një përqindje tjetër më e vogël, por që nuk janë të vetëdijshëm se çfarë po ndodhë”, tha Ajshe Beqiri , psikologe.
Personat që më së shumti e vuajnë depresionin pas festave janë ato të moshës mbi 40 vjeçare. Kurse, të rinjtë më pak preken nga ky depresion.
“Kryesisht moshat mesatare, d.m.th prej moshës 40-45 vjeçare deri në moshën 55 vjeçare. Sipas statistikave kjo moshë më tepër janë të fokusuar ose të rënë në këtë depresion pas festave. Për këtë depresion, po përfshihen edhe të rinjtë ose adoleshentët, por në një përqindje më të ulët ose më të vogël, për arsye se një i ri ose një adoleshent edhe pse nuk vijon shkollën gjatë kësaj periudhe, gjithmonë e gjen një aktivitet”, shtoi ajo.
Simptomat e depresionit pas festave janë ankthi, qytetarët nuk kanë vullnet për tu angazhuar me ndonjë aktivitet, i largohen të rutinës duke ndenjur më së shumti në shtrat, ndjehen të lodhur ose ndjejnë plogështi. Për t’iu shmangur depresionit, psikologët rekomandojnë ushqim të pasur me minerale dhe vitamina, bisedim dhe shoqërim me të afërmit./Alsat.mk