Së shpejti, një grup i qytetarëve të Maqedonisë do të marrin kallëzime penale për terrorizëm dhe do të përgjigjen për alarmet e rreme për bomba në shkolla dhe objekte të tjera, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas Spasovskit që nga miratimi i protokolleve të reja, ka pasur reduktim apo ndërprerje serioze të kërcënimeve. Numri një i policisë thotë se përveç kërcënimeve të tilla nga shtetasit e Maqedonisë ka edhe tendencë tjetër, që kanë të bëjnë me interesat gjeostrategjike që janë të ndërthurura në vend.
Spasovski ka theksuar se MPB është në gjurmë të një rrjeti të personave, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, që dyshohen për alarmet e rrejshme, transmeton Lideri.mk. Ata kanë blerë internet “VPN” nga Irani dhr Rusia dhe përmes atij interneti kanë dërguar alarmet në shkolla, qendra tregtare, institucione, etj.
Pikërisht duke përcjellur gjurmët e pagesave të internetit “VPN”, janë zbuluar gjurmët e qytetarëve të dyshuar.
“Tashmë kemi bërë kallëzim penal ndaj një të mituri dhe praktikisht po depërtojmë në një grup personash që kanë marrë pjesë në dërgimin e paralajmërimeve në mënyrë elektronike dhe precize duke përdorur adresat VPN etj dhe jemi në një pozicion që shumë shpejt i gjithë grupi do të ekspozohet plotësisht, do të bëhet kallëzim penal për veprën penale “terrorizëm”. Dhe kjo si dukuri na lejoi që praktikisht të bëjmë ndryshime në pjesën e protokolleve lidhur me veprimin”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.