May 15, 2024
Kosovë

Qeveria Kurti shpall non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka nxjerrë vendimin për shpalljen non-grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare.

Sipas Gërvallës, kjo është bërë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së. Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.