May 5, 2024
Maqedoni

Qeveria: Kompanitë kompetente dhe pushteti lokal të sigurojnë energji ngrohëse për qytetarët në Shkup

Qeveria u bën thirrje kompanive kompetente, autoritetete të qytetit dhe atyre lokale urgjentisht të veprojnë sipas kompetencave të tyre dhe të sigurojnë energji ngrohëse në shtëpitë e qytetarëve të Qytetit të Shkupit.

Qeveria u ndihmon qytetarëve, komunave dhe Qytetit të Shkupit, por, siç citojnë, kur janë në pyetje obligimet financiare ndaj dhënësve të shërbimeve publike, fillimisht thirren organet kompetente lokale.

Nga Qeveria thonë se gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohen mundësi për ndihmë plotësuese, por ndërprerja njëpalëshe e obligimeve të dakorduara dhe ndërprerja e ngrohjes në dëm të qytetarëve dhe amvisërive në kushte të dimrit nuk mund të arsyetohet as të pranohet.

Qytetarët e Shkupit, para se gjithash nga Lagjja Shkup-Veri dhe Fushë Tophanë, këto ditë me reagime te mediat u ankuan se janë pa ngrohje qendrore ose ngrohja është shumë e dobët.

Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup nga ky muaj është rritur për 14 për qind.