BallinaMaqedoni

Qeveria e re, nis takimi i parë i grupeve të punës

Në selinë e VMRO – DPMNE-së nisën bisedimet e koalicionit të kryesuar nga Mickoski dhe përfaqësuesit e VLEN-it për formimin e qeverisë së re. Të dyja palët kanë konfirmuar se ekipet për negociata janë gati, ndërkaq në këtë takim të parë do të përcaktohet dinamika dhe metodologjia e punës.

Ekipi i VMRO-DPMNE-së përfaqësohet nga: Aleksandar Nikollovski, Vllado Misajllovski, Gordana Dimitrievska dhe Timço Mucunski.

Ekipi i koalicionit VLEN përbëhet nga: Azir Aliu, Visar Ganiu, Adnan Azizi dhe Bashkim Murtezi.

“Do të flasim për metodologjinë dhe dinamikën e punës. Varet, do të shohim se sa takime do të kemi. Sipas të gjitha gjasave, takimi i ardhshëm do të jetë më konkret.”, – deklaroi Azir Aliu nga VLEN.

Në takimin e radhës pritet të hapet çështja e ndarjes së resorëve. Ministritë kryesore i synon VMRO-DPMNE-ja, bazuar nga numri i mandateve të deputetëve të fituar në zgjedhje, ndërkaq VLEN-i s’do të kënaqet me pjesëmarrje minimale në ekzekutiv.

Ndryshimet kushtetuese janë prioritet për VLEN-in, por VMRO-DPMNE-ja do të kërkojë garanci ndërkombëtare për këtë çështje.

Në takimin e parë pas zgjedhor të liderëve të VMRO-së dhe VLEN-it u ra dakord për parimet kryesore mbi të cilat do të duhet të bazohet bashkëpunimi sikurse: eurointegrimi, zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit e korrupsionit, si dhe sundimi i së drejtës.