Rajon - Botë

Qeveria e Gazës thotë se tanket izraelite u tërhoqën nga autostrada kryesore pas një inkursioni të shkurtër

Tanket izraelite janë tërhequr nga rruga Salah al-Din në qytetin e Gazës pas një inkursioni të shkurtër, tha sot qeveria në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Nuk ka tanke izraelite në rrugën Salah al-Din dhe jeta është kthyer në normalitet”, tha Zyra e Qeverisë për Media në një deklaratë.

Dëshmitarët okularë thanë më herët për Anadolu se tanket izraelite u zhvendosën të dielën mbrëma nga qyteti Juhor Ad-Dik në lindje të Rripit të Gazës në rrugën Salah al-Din, në juglindje të qytetit të Gazës.

Inkursioni përkoi me bombardime të rënda artilerie dhe sulme ajrore, thanë ata.

“Okupatori po përpiqet të krijojë një pamje joreale në lidhje me praninë e forcave të tij brenda Gazës, por ato nuk mund të qëndrojnë në territorin nën goditjet e rezistencës”, tha Zyra për Media.

“Nuk ka asnjë inkursion tokësor në lagjet e banuara në Rripin e Gazës”, shtoi ajo.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha sot se ushtria po “përparonte gradualisht” në Gaza.

“Ne po kryejmë një operacion të zgjeruar tokësor drejt Rripit”, u tha ai gazetarëve.

Ushtria izraelite zgjeroi të premten sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit më 7 tetor.

Mbi 9.800 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë 8.306 palestinezë dhe më shumë se 1.538 izraelitë.