May 15, 2024
Shqipëri

 “Qeveria do që ekonomia të kontrollohet nga duart e 4 apo 5 oligarkëve”- Kreu i PL, Meta ngre alarmin: Mbi 12 mijë biznese janë mbyllur gjatë vitit 2023

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një konferencë me gazetarët u shpreh se situata ekonomike në vend është dramatike, pasi sipas të dhënave zyrtarë 12 mijë biznese kanë mbyllur aktivitetin gjatë vitit 2023.
Sipas kreut të PL, nëse vazhdon kjo situatë e rëndë me ekonominë e vendit, atëherë pas 10 vitesh të gjitha bizneset do shpallin falimentin.

Për ish-Presidentit situata aktuale nuk i intereson qeverisë, pasi synimi i saj është përqendrimi i ekonomisë në duart e 4-5 oligarkëve.
“Do doja sot të ndaja sot një shqetësim shumë konkret dhe njëkohësisht tepër problematik pasi viti që lamë pas, u mbyll me një bilanc tepër të rëndë për biznesin, kur mbi 12 mijë biznese kanë vendosur të mbyllin aktivitetin e tyre.

Shqipëria numëron rreth 120 mijë biznese aktive në total, ç’ka do të thotë se vetëm gjatë vitit që lamë pas, 10% e totalit të bizneseve në vend kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin.

Mbyllja e mbi 12 mijë bizneseve në mbarë vendin, është dëshmia më e qartë e situatës tepër të rëndë ekonomike ku ndodhemi.

Të goditura nga taksat e larta arbitrare dhe të pa paralajmëruara të Qeverisë dhe nga tarifat e papërballueshme të pushtetit lokal, nga gjobat arbitrare, nga korrupsioni dhe informaliteti që ka kapur qiellin, bizneset po falimentojnë dhe po ulin masivisht qepenat duke goditur në mënyrë të drejtëpërdrejtë ekonomitë familjare dhe lënë pa të ardhura dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë.

Një fakt tronditës që nëse vazhdon me të njëjtat ritme kaq dramatike do të thotë se pas 10 vitesh të gjitha bizneset në vend do të shpallin falimentin.

Mbyllja e bizneseve dhe e mijëra vendeve të punës do të përkeqësojë statusin social të familjeve shqiptare duke i varfëruar ato më tej.

Kjo situatë godet indirekt edhe pensionistët të cilët në numrin më të madh ndihmohen me të ardhura nga fëmijët e tyre që ushtrojnë aktivitete private.

Qeverisë qartësisht i intereson falimentimi i bizneseve të ndershme sepse synimi i saj i vetëm është përqëndrimi i të gjithë ekonomisë së vendit në duart e 4 apo 5 oligarkëve, që sot nuk kontrollojnë vetëm industrinë e ndërtimit, por edhe të ushqimeve, veshjeve, farmaceutike etj.

Është e qartë që bizneset e ndershme po falimentojmë sepse edhe pastrimi masiv i parave të pista, në çdo sektor të ekonomisë, ka shkatërruar tregun e lirë duke dëmtuar në rradhë të parë ekonomitë familjare”- u shpreh Meta.