BallinaMaqedoni

Qeveria: BDI po i thirrë policët shqiptarë te selia partiake në Shkup

BDI po i thirrë policët shqiptarë te selia partiake në Shkup dhe prej tyre po kërkon të mos marin pjesë në aksionet policore. Kështu thonë nga Qeveria e Maqedonisë në brifingun për mediat në Shkup, duke theksuar se në selinë e BDI-së po thirren policë shqiptarë për të cilët supozohet se do të kyçen në aksionet e tilla, që kanë filluar dje, e pritet të vazhdojnë ditëve në vijim.

Nga BDI për momentin mohojnë informacionet e atilla.

Ndryshe, sot në mëngjes policia ka bastisur shtëpinë e ish zv/kryeministrit nga radhët e BDI-së, Artan Grubi dhe shtëpinë e ish-drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajrami.

Nga MPB thonë se, bastisjet janë bërë rreth dyshimeve për krim në Lotarinë e Maqedonisë.

Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ku siç është bërë publike tanimë ai ndodhet në Kosovë, dhe ka theksuar se është për vizitë private dhe do të kthehet përsëri në Maqedoninë e Veriut.
Derisa gjatë kontrollit në shtëpinë e ish-drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajrami, as ai nuk është gjetur në shtëpi.
Jo zyrtarisht mësohet se në shtëpinë e ish-drejtorit Përparim Bajrami janë gjetur, 50 mijë franga zvicerane.