May 3, 2024
Maqedoni

Qerim Mamuti: Do ta ndalim haraçin në Saraj

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka mbajtur tubim parazgjedhor në Komunën e Sarajit.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së tha se do të duhet t’i thjeshtësojmë gjërat dhe t’i themi ashtu siç janë, “sepse vetëm mbi premisën e së drejtës dhe konstatimit të situatës dhe krahasimit të gjërave, ne mund të bëjmë zgjedhjen e duhur”.

“E pra, më 17 tetor ju do të keni përballë kandidat njërin që përfaqëson gjërat më të liga që mund ti ketë natyra e njeriut dhe nga ana tjetër e keni Qerimin i cili është i ndershëm mbi të gjitha, i cili është punëtor dhe i cili është serioz dhe më tepër se gjithçka nga këto që i përmenda, ai e don Sarajin, e don vendlindjen e tij, ai e don ardhmërinë e Sarajit dhe ai don ta ndërtojë ardhmërinë e shqiptarëve në Saraj që ta gëzojnë”, tha Sela.

Është vërtetë absurd, shtoi ai kur i dëgjojmë oponentët tonë të dalin tani para zgjedhjeve dhe flasin se do ta zgjedhin varfërinë, që nuk u krijua për një ditë por është krijuar brenda një periudhe kohore e pjesëtarë të varfërimit të kësaj popullate, janë pikërisht ata që mbajnë pushtetin nga 20 vite.

“Premtojnë që do të ofrojnë mbështetje sociale dhe konstatojnë që s’ka mbështetje sociale për popullatën. Flasin se do ta ndalin korrupsionin, sepse e dinë që e kanë krijuar dhe ata janë vetë që do ta vazhdojnë dhe ne nuk besojmë në këto premtime boshe”, ka thënë mes tjerash Sela në Saraj.

Ndërkaq, kandidati i Aleancës për Shqiptarët (ASH) për komunën e Sarajit, Qerim Mamuti në tubimin në Saraj ka thënë se synimi jonë dhe i tij si kandidat për ta udhëhequr komunën e Sarajit në mandatin 4 vjeçar, s’është dëshirë vetëm për të dalë në garë për ta proklamuar vetveten apo ekipin e përbashkët, por siç tha, “nijeti jonë është i pastër, brenga e një keq qeverisjeje 12 vjeçare e BDI-së”.

“Zullumi, vjedhja dhe haraçi që ju bëhet qytetarëve të Sarajit me rrethinë, uzurpimet e pronës komunale nga aktivistë të BDI-së, shitja dhe shkatërrimi i Liqenit Treska, pasurisë, vikend shtëpizave, hekurit dhe gjithçka që ekzistojnë aty, ndërsa ishte pasuri e financuar nga vetë qytetarët e Sarajit”, tha ai.

Kandidimi, shtoi ai ka të bëj me ndalesën e haraçit nga organet komunale me fatura mujore nga 5 euro për kanalizime të vetë financuara nga qytetarët e Sarajit.

“Banorët e Sarajit ballafaqohen me mungesën e ujit për pije, pa kanalizime, rrugë të shkatërruara dhe mbeturina te hedhura në gjithë territorin e Sarajit. Ndërsa, shkaktuesit kryesor të të gjithë këtyre të këqijave, është drejtuesi i komunës së Sarajit dhe ndërmarrja komunale në suaza të komunës”, theksoi ai.