Maqedoni

Pushteti aktivizohet para zgjedhjeve, Zaev: Nuk bëjmë fushatë, edhe më parë kemi promovuar projekte

Thuajse edhe një muaj na ndan nga fillimi i fushatës zyrtare për zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa pushteti është vazhdimisht në terren. Çdo ditë kryeministri Zaev i shoqëruar nga ministra dhe kryetarët e komunave, prej të cilëve një pjesë e madhe janë kryetarë aktual, lëshojnë në përdorim objekte dhe promovojnë projekte. Kryeministri pohon se projekte kanë promovuar edhe paraprakisht dhe se gjithçka është sipas ligjeve. Zaev thotë se ngjarjet e këtilla nuk paraqesin fillim joligjor të fushatës para afatit të parashikuar.

“Në përgjithësi ligji në mënyrë të qartë përshkruan se kur lejohet e kur nuk lejohet dhe ne e respektojmë vetë ligjin. Të gjitha objektet e tjera kapitale i kemi promovuar edhe para një muaji edhe para 6 muajve edhe para një viti dhe do të vazhdojmë t’i promovojmë. Për shkak se kështu është më mirë, për shkak se kështu vepron e gjithë bota dhe për shkak se kjo është përditshmëria jonë brenda këtyre 4 viteve. Nuk bëhet diçka e jashtëzakonshme tani që nuk e kemi bërë edhe para 6 muajve ose para një viti”, shprehet Zaev.

Edhe pse paraprakisht kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet, LSDM-ja që atë kohë ishte në opozitë, reagoi për promovimet e këtilla para fillimit të fushatës. Zaev thotë se tani është arritur marrëveshje me të gjitha partitë politike në lidhje me atë se çfarë mund e çfarë nuk mund të bëjnë.

“Prej atëherë arritëm marrëveshja të cilën edhe sot e respektojmë, duke përfshirë edhe opozitën për shkak se opozita diku e ka vetëqeverisjen lokale nën kompetencat e saj, përkatësisht e udhëheq kryetar nga opozita, flas edhe për VMRO-DPMNE-në edhe për ASH-në edhe për partitë e tjera opozitare. Kështu që kjo marrëveshje është arritur dhe ne e respektojmë”, tha më tej ai.

Zaev së bashku me ministrat, kryetarët e komunave sot ishte në hapjen e tregut të rinovuar Bit Pazar, gjë që opozitarja VMRO-DPMNE e quan populizëm.

“Populizëm është kjo që bën Qeveria me promovimin e një projekti privat për shkak se LSDM-ja dhe BDI-ja e futën shtetin në recesion, shpenzuan 4 buxhete të mëdha, e futën në borxh shtetin për 60 mijë të papunësuar të rinj që i lanë në rrugë dhe lavdërohen me investim privat”, vlerësuan nga opozita.

Komisioni antikorrupsion paraprakisht ka sugjeruar se me ngjarjet dhe promovimet e këtilla bëhet, siç thonë, shkelje e ligjeve dhe udhëhiqet fushatë e parakohshme.