Pse Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk po e informon opinionin publik se sa dhe si institucionet shtetërore dhe publike po e zbatojnë gjuhën shqipe?
Ejup Berisha
Ka kohë që këtu në RMV gjuha shqipe është zyrtare, kjo gjë është bërë e mundur në bazë të Kushtetutës me amandamentin V, si dhe në bazë të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV. Për ta mbikëqyrur çështjen e zbatimit faktik të gjuhës shqipe këtu te ne është themeluar një institucion shumë i rëndësishëm shtetëror e ai është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve. Ky institucion në bazë të ligjit për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve i ka në ngarkim që t’i zbatojë këto kompetenca: Në bazë të nenit 6, paragrafi 1 të ligjit përkatës Inspektorati ka për detyrë që ta bëj mbikëqyrjen e zbatimit të amandamentit pesë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të dispozitave të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga ana e të gjitha institucioneve kompetente, (në tekstin e mëtejmë subjekte të mbikëqyrjes inspektuese).
Sipas paragrafit 2 të nenit 6 mbikëqyrja nga paragrafi 1 i këtij neni përfshin:
1. Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në procedurat para institucioneve;
2. Mbikëqyrje mbi emërtimet dhe vulat e institucioneve;
3. Mbikëqyrje të emrave të objekteve infrastrukturore;
4. Mbikëqyrje mbi shpalljen në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” të ligjeve, të akteve nënligjore, të vendimeve dhe shpalljeve si dhe punë të tjera të përcaktuara me ligj të cilat i ngarkohen Inspektoratit në fjalë.
Nga ana tjetër në bazë të nenit 51, paragrafi 2 të Kushtetutës së RMV-së të gjitha subjektet shtetërore dhe publike janë të detyruara që ta zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në bazë të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në nenin 1, paragrafi 1 në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saja ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj më tej në paragrafin 2 të të njëjtit nen, gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare bashkë me alfabetin e saj në përputhje me këtë ligj. Në bazë të paragrafit 3, të nenit 1 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucione qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat më tej nëpër komisionet, subjektet juridike që kryejnë autorizime publike në përputhje me ligj dhe institucionet e tjera gjuhë zyrtare përskaj gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj. Gjuha shqipe dhe alfabeti i saj mund të përdoren edhe nëpër institucione tjera si në polici, nëpër prokurori dhe nëpër gjykata.
Gjithashtu të gjitha organet, trupat dhe institucionet e tjera janë të obliguara që ta mundësojnë përdorimin dhe zbatimin e cilës do prej dy gjuhëve zyrtare të paraparë me nenin 1, paragrafi 1, dhe me paragrafin 2 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Të mos harrojmë se gjuhët zyrtare si gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe dhe alfabetet e tyre mund të përdoren edhe nëpër institucionet më të larta shtetërore si në: 1. Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 2. Në Kabinetin e Presidentit të Republikës, por dhe në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Por ajo që për momentin mungon është se ne si qytetarë nuk kemi informacione për atë se sa dhe si institucionet e sipërpërmendura shtetërore dhe publike e lejojnë dhe në çfarë mase të njëjtat e zbatojnë gjuhën e dytë zyrtare-gjuhën shqipe. Informacione të tilla reale, të sakta dhe objektive për atë se sa respektohet dhe zbatohet gjuha shqipe në nivel institucional duhet të kumtojë Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në bazë të vëzhgimeve inspektuese që duhet ti bëj ky institucion.
Por nga ai akoma nuk ka informacione në formë të raporteve zyrtare të dedikuara për opinionin publik për çështjen e zbatimit dhe të përdorimit të gjuhëve zyrtare, e që dalin siç u tha më lartë nga veprimet e saja ligjore rreth vëzhgimit dhe inspektimeve të saj. Këtë pra duhet ta bën Inspektorati sa më shpejtë që është e mundur me qëllim që të kemi një pasqyrë më të qartë dhe më reale për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve qytetarët dhe subjektet e ndryshme juridike kanë të drejtë të informohen lidhur me zbatimin gjuhëve zyrtare nga ana e institucioneve kompetente shtetërore dhe publike. Me këto informacione do të kuptohet se cilat institucione shtetërore dhe publike e zbatojnë plotësisht gjuhën shqipe, se cilat e zbatojnë në mënyrë gjysmake dhe cilat e anashkalojnë plotësisht zbatimin e gjuhës shqipe.
Se pse nuk kemi raportet e tilla nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve këtë nuk e dimë dhe për këtë duhet të sqarohet vet ky institucion. Me to Inspektorati në fjalë do ta respektonte dhe do ta zbatonte parimin e transparencës dhe publicitetit në punën e vet. A do të kemi raporte të tilla gjithashtu këtë gjë duhet ta thotë sërish vetë Inspektorati. Ajo që ne mund ta bëjmë si qytetarë është që të presim se a do të informohemi në kohë, realisht dhe saktësisht për çështjen që na tangon apo për atë se a po zbatohet apo nuk po zbatohet gjuha shqipe nga institucionet shtetërore dhe publike në RMV dhe pse kjo është kështu.