Kosovë

Protestat në Veri të Kosovës, autobusi me targa të Beogradit i mbushur me protestues serbë

Një autobus me targa të Beogradit, i stërmbushur me protestues ka arritur në afërsi të barrikadës në Rudar, ku pritet të nisë protesta e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”.

Protesta filloi në orën 12:00.

Sipas përfaqësuesve të këtij shtabi, organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Vuçiq iu adresua serbëve të Kosovës para protestës: Unë do t’i mbështes dhe nuk fshehem nga të mëdhenjtë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një adresim drejt serbëve në Kosovë, para protestës masive të tyre në barrikadën në vendbanimin Rudare.

Ai u ka thënë serbëve se i mbështet në kërkesat e tyre, dhe thotë se nuk do të fshehet nga më të fuqishmit e botës, përcjell klankosova.tv.

“Serbët nuk kërkojnë shumë, ata kërkojnë vetëm atë që u takon të gjithë njerëzve të qytetëruar në Evropë. Atë që të gjithë kanë të drejtë, vetëm serbëve u mohohet. Të jesh i lirë, të kesh të drejtën të lëvizësh, të shkosh shkollave dhe spitaleve, për të mbrojtur jetën e tyre dhe perspektivën e fëmijëve të tyre, kërkojnë lirimin e atyre që u arrestuan pa arsye, kërkojnë tërheqjen e atyre që erdhën me armë të gjata për të pushtuar ilegalisht veriun e Kosovës dhe Metohisë”, tha ai.

“Dhe për t’u kthyer në institucione kërkojnë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Për të gjitha, unë si kryetar i Serbisë gjithmonë do t’i mbështes, gjithmonë do t’i mbështes dhe nuk do të fshihem nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit në botë”, tha Vuçiq.

“Dhe kur ta them këtë, unë gjithashtu do të jem gjithmonë i përgjegjshëm për t’i ftuar ata të ruajnë paqen, të qëndrojnë të qetë dhe të durueshëm. Sepse paqja është në interesin më të madh të serbëve dhe të Serbisë dhe popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Rroftë Populli serb në Kosovë dhe Metohi, rroftë Serbia”, ka përfunduar ai.

Vuçeviq kërcënon Kosovën: Skenar katastrofik nëse hiqen barrikadat

“Rrugë në drejtim të gabuar dhe skenar katastrofik”, e ka quajtur ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, nëse eventualisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendos t’i heq barrikadat e vendosura nga serbët në pjesën veriore, raportoi televizioni publik i VojvodinësVuçeviç vazhdoi me narracionin e kahershëm se “nuk do të ketë ‘rrufe’, ‘stuhi’ e as mars të 2004’ës” derisa shtoi se “kushdo që mendon kështu e ka gabim”.

“Nuk do të doja të shihja këtë skenar dhe shpresoj se askush nuk mendon të na kontrollojë se sa serioz dhe të vendosur jemi”, ka thënë ai.

Duke folur për refuzimin eventual të KFOR’it për refuzimin e kërkesës së Serbisë për të lejuar kthimin, siç pretendojnë ata, të rreth një mijë trupave ushtarake serbe në Kosovë, Vuçeviç tha se në atë rast KFOR’i do të duhet t’i jep Serbisë garanci shtesë që KFOR’i është i aftë të ruajë paqen për të gjithë qytetarët.
“Nëse më pyesni mua se cila është përshtypja ime kur flas me përfaqësues të lartë, në rend të parë me NATO’n e që de fakto është KFOR’i, ata nuk duan konflikte. Se çfarë bën politika dhe kush e inkurajon Kurtin për të gjitha këto, nuk mund të nxjerr përfundime. Mbase edhe di diçka për këtë, por jo mjaftueshëm që ta deklaroj”, ka thënë ministri serb i mbrojtjes.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për gazetën britanike “The Guardian”, ka thënë se ekziston shqetësimi që heqja e barrikadave nga ana e autoriteteve të Kosovës mund të kishte pasoja edhe në jetën e njerëzve.

Një deklaratë e tillë e Kurtit u shtrembërua nga krerët e shtetit serb të cilët në çdo paraqitje mediatike të ditëve të fundit e kanë quajtur “thirrje e hapur për vrasje të serbëve”.