Maqedoni

Propaganda ruse kaplon edhe Maqedoninë? Kryetari i partisë në pushtet kritikon Perëndimin, arsyeton Putinin

Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, partitë kryesore politike në Maqedoninë e Veriut kanë mbajtur kurs të padiskutueshëm properëndimor. Mirëpo gjërat si duket kanë filluar të ndryshojnë, e këtë e paralajmëron Tito Petkovski, kryetar i Partisë së Re Social Demokrate (PRSD), parti e cila është pjesë e koalicionit qeveritar. Në paraqitjen e tij në Tv24, Petkovski ka shprehur kritika të shumta ndaj Perëndimit, kurse ka arsyetuar ata qytetarë që mbajnë anën e Rusisë.
Ai tha se maqedonasit e lavdërojnë presidentin rus Vlladimir Putin në rrjetet sociale për shkak se kërkojnë lider që do t’i mbronte me grusht të fortë dhe i cili do të kundërshtonte padrejtësitë e Perëndimit.

“Vetëm në këtë aspekt përkrahet Putin. Njeriu ynë kërkon udhëheqës, lider që do t’i mbron dhe do të ju hapë perspektiva dhe për këtë arsye kërkojnë personalitet autoritar. Për këtë arsye në këto moment Vuçiq është më i suksesshëmnë Ballkan, ai është personalitet autoritar. Ta mbani 30 vite një vend të vogël si Maqedonia me dyer të mbyllura dhe të na bindni pa na e dhënë atë të drejtë, ju nuk mud ta doni BE-në dhe ktheheni kah një personalitet i cili i kundërshtohet asaj bote”, thotë Petkovski.
Ai shton se vetë Perëndimi jep shembuj negative me sanksionet ndaj Rusisë dhe se luftën ekonomike do ta paguajnë shtrenjtë qytetarët.
“Me asnjë argument nuk mund të arsyetohet sjellja e Perëndimit dhe dëbimi i artistëve, përjashtimi i klubeve sportive, si Çelzi”, ka komentuar Petkovski, ish kryetar i Kuvendit të Maqedonisë dhe ish figurë e lartë e partisë aktuale në pushtet, LSDM, nga e cila u nda në vitin 2005. Aktualisht partia e Petkovskit është pjesë e koalicionit me dy deputetë, që janë mjaft të rëndësishëm për mbijetesën e qeverisë, për shkak të dallimit të vogël kundrejt opozitës.
Sipas tij, Maqedonia duhet të udhëheqë politikë të veten të pavarur, e jo t’i përcjellë verbërisht “interesat e huaja”. Revolta e Petkovsit si duket buron nga qëndrimi i fundit i komisarit evropian, Zhozef Borell.

“SHBAT-të nuk furnizohen më me naftë nga Rusia, por tani arriti kontrata për furnizim me naftë nga armiqtë e saj- Venecuela dhe Irani. Për këtë arsye them se Maqedonia duhet të udhëheqë politikë të veten pragmatike. Pas “jo”-së së fundit të BE-së përmes Borellit, Maqedonia duhet t’i përkushtohet interesave afatgjate. Europa gjatë kohë do të luftojë me problemet e veta të brendshme”, thekson Petkovski./Almakos