May 20, 2024
Maqedoni

Prokurorja Lejla Kadriu në prag të shkarkimit

Komisioni disiplinor në Prokurorinë Publike ka marrë vendim për pezullimin dhe shkarkimin e prokurores Lejla Kadriu nga pozita e prokurores publike në Prokurorinë Publike të Tetovës, mëson Alsat. Prokuroria nuk jep detaje.

“Procedurat disiplinore zhvillohen në mënyrë konfidenciale, në mënyrë që të mos cenohet nderi dhe dinjiteti i prokurorit publik. Prandaj, nuk kemi mundësi të ndajmë informacione për rezultatin e procedurës kundër asnjë prokurori publik”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Megjithatë, vendimi i komisionit disiplinor nuk është përfundimtar. Për atë nëse prokurorja Kadriu do të shkarkohet do të vendosë Këshilli i Prokurorëve Publikë i cili ka kompetenca të tilla. Alsat kontaktoi me prokuroren Kadriu, por ajo nuk ishte e njoftuar me vendimin e komisionit disiplinor dhe pranoi të komentojë. Procedura disiplinore është iniciuar para më shumë se një viti, pas protestave të banorëve të Siniçanit të cilët kërkuan ujë të pijshëm. Në korrik të vitit 2020, popullata e malësisë së Sharrit, Siniçan dhe Urviç, ranë në konflikt për ekskluzivitetin e burimit për furnizimin me ujë dhe ndërtimin e një sistemi për furnizim me ujë. Në atë kohë në vendngjarje doli prokurorja Kadriu e cila kishte shpërndarë policinë, që kishte për detyrë të pengonte përplasjen mes dy grupeve të qytetarëve. Për praninë e policisë Kadriu ka reaguar përmes telefonit te Oliver Spasovski, i cili në atë kohë ishte kryeministër teknik. Deri më sot nuk është e qartë kush e dërgoi prokuroren Kadrui në Siniçan dhe nëse dhe çfarë veprimesh para hetimore ka ndërmarrë ajo atje. Komisioni disiplinor ishte formuar të nesërmen, por për vendim u prit më shumë se një vit e gjysmë. Ndryshe, Kadriu është pjesë e ekipit prej pesë prokurorëve publikë që punojnë në procedurë para-hetimore për rastin e djegies së Spitalit Moduluar në Tetovë. /Alsat.mk