May 23, 2024
Maqedoni

Profesoresha shqiptare nga Shkupi do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në projektin e udhëhequr nga Këshilli i Evropës në Strasburg

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof.Inor.Dr. Diturije Ismaili u zgjodh eksperte për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në zhvillimin e një dokumenti Udhëzues që zbaton Kornizën Referuese të Kompetencave për Kulturën Demokratike (RFCDC) për Arsimin për Zhvillim të Qëndrueshëm (ESD), një projekt i udhëhequr nga Këshilli i Evropës në Strasburg.

Grupi i parë i Punës i ekspertëve u mbajt më 21 nëntor 2023 në Shtëpinë e Evropës në Strasburg, Francë. Në këtë takim znj. Ismaili ishte pjesëmarrëse në grupin punues ku shkëmbeu informacione për RFCDC dhe ESD dhe tregoi disa shembuj të praktikave të mira për arsim për zhvillim të qëndrueshëm në kontekstin e Maqedonisë së Veriut.

Projekti filloi në vitin 2023 dhe do të përfundojë në vitin 2025 me mundësi vazhdimi. Projekti Grupi i Punës përbëhet nga ekspert të arsimit nga 19 shtete anëtare dhe organizata vëzhguese. Projekti u inicua dhe do te udhëhiqet nga Departamenti i Arsimit pranë Këshillit të Evropës.