Pritet ulje për produktet ushqimore, rryma nuk do të shtrenjtohet?!
Në 10 ditët e ardhshme pritet të fillojë ulja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Inspektorët e Inspektoratit të Tregut do t’i vizitojnë dyqanet dhe do të kontrollojnë nëse i kanë ulur çmimet. Kjo vjen pasi Qeveria vendosi të subvencionojë energjinë elektrike për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore. Për këtë arsye presin që kompanitë dhe marketet t’i lirojnë çmimet, sepse do të ulet edhe inputi i energjisë elektrike në çmimin total.
“Gjatë kësaj jave do të bëjmë një analizë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe fizikisht në supermarkete. Përveç se këtë e bëjmë përmes prodhuesve vendorë, në bazë ditore marrim edhe të dhëna për çmimet e importit të atyre produkteve që janë të përcaktuara në vendimin e Drejtorisë së Doganave. Kështu, gjatë kësaj jave do t’ju informojmë edhe për përqindjen e uljes, edhe për produktet ku ka ulje të çmimeve, edhe për kompanitë që e kanë bërë këtë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Tashmë janë shqiptuar disa gjoba dhe kjo praktikë do të vazhdojë edhe më tej, pasi, siç thotë ministri i Ekonomisë, nuk do të lejojnë të ketë keqpërdorim të krizës në kurriz të qytetarëve. Bekteshi po ashtu tha se për momentin opsioni më i lirë është që të importohet energji elektrike sesa të prodhohet në vend, por megjithatë shton se shteti është duke i përgatit të gjitha kapacitetet për t’i përmbushur nevojat për konsumim të energjisë elektrike. Thotë se nga 1 janari me shumë gjasa nuk do të shtrenjtohet rryma për amvisëritë, edhe pse në periudhën e kaluar fillimisht paralajmëronte se nuk do të ketë, e pastaj tha se do të ketë rritje të vogël.
“Nëse mendoni se ne duhet të prodhojmë energji elektrike me çmim më të lartë, në rregull, do ta bëjmë këtë, nuk do të importojmë dhe në këtë mënyrë nuk do ta dëmtojmë buxhetin. Ne sjellim edhe vendime për mbrojtjen e buxhetit, sepse bëhet fjalë për buxhetin e çdo qytetari të vendit dhe qytetarët duhet të furnizohen me energji elektrike në mënyrë të pandërprerë. Kjo të zgjasë deri në fund të sezonit të ngrohjes, si për energjinë elektrike, po ashtu edhe për atë termike”, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Gjatë kësaj jave, në Manastir duhet të arrijë transformatori për bllokun e tretë në TEC Manastir, i cili do të ofrojë mundësi shtesë për prodhim të energjisë elektrike. Bekteshi shton se me siguri nga 1 janari i vitit që vjen do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike për kompanitë.