Maqedoni

Presidenti Meta, vizitë dhe ligjëratë në ITShKSh të Shkupit

Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e vizitoi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili para studentëve të universiteteve shqiptare mbajti një ligjëratë me temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”.

Presidenti Meta në fjalën e tij veç tjerash tha se shqiptarët duhet gjetur të gjitha format dhe mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë në rajon, duke i këmbyer asetet kulturore, shkencore dhe ekonomike, për t’u bërë ballë sfidave që na presim në këtë mijëvjeçar të ri. Sipas tij, për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndësishme që bashkërisht të punojnë që në këto hapësira të mbisundojë ligji, vlerat evropiane dhe euroatlantike, demokracia dhe bashkëjetesa me të gjitha komunitetet, për të pasur një prosperitet dhe stabilitet të garantuar.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë kohë kur regjistrohen trendë shqetësuese të ikjes së të rinjve nga vendi, nga këto duam të përcjellim porosinë deri te politikbërësit që të kenë kujdes më të shtuar ndaj rinisë, e cila duhet të ngelet këtu për të vepruar për vendin tonë.

Paraprakisht, Presidenti Meta bashkë me delegacionin e Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza pranë ITShKSh-së, vendosën lule pranë pllakës përkujtimore ku gjendej shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut në sheshin e Shkupit.