Rajon - Botë

Presidenti Biden e quan diktator udhëheqësin kinez, Xi Jinping

Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen nga komentet e bëra nga Presidenti Joe Biden, i cili ditë më parë e krahasoi Presidentin kinez Xi Jinping me një diktator. Komentet e zotit Biden erdhën pas vizitës së Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kinë, në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Pekini ka reaguar ashpër ndaj komenteve të Presidentit Biden.

Komentet e Presidentit Biden, që e krahason udhëheqësin kinez Xi Jinping me një diktator, nuk duhet të shkaktojnë habi, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel, shkruan VOA.

“Nuk do të hezitojmë të theksojmë fushat ku nuk pajtohemi, apo të shprehemi hapur për disa nga këto dallime. Presidenti dhe Sekretari i Shtetit e kanë shprehur qartë dallimin mes demokracive dhe autokracive”, tha ai.

Gjatë një takimi për mbledhje fondesh për fushatën e tij presidenciale, Presidenti Biden tha se zoti Xi nuk ishte në dijeni të balonës kineze të dyshuar për spiunazh, që fluturonte mbi territorin amerikan, të rrëzuar nga ushtria amerikane në muajin shkurt.

“Ky është një siklet i madh për diktatorët, kur ata nuk e dinë se çfarë ndodh”, tha zoti Biden duke shtuar se kur SHBA-të e rrëzuan balonën, zoti Xi u zu ngushtë dhe mohoi ekzistencën e saj.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, reagoi ashpër të mërkurën gjatë një konference shtypi.

“Vërejtjet e SHBA-së janë jashtëzakonisht absurde dhe të papërgjegjshme, bien ndesh me faktet, shkelin seriozisht protokollin diplomatik dhe cenojnë rëndë dinjitetin politik të Kinës. Është një provokim i hapur politik”, tha ajo.