BallinaMaqedoni

PP: Dita e zgjedhjeve kaloi pa parregullsi të mëdha dhe raportime për incidente zgjedhore

Deri në mbylljen e qendrave të votimit, dita e zgjedhjeve kaloi përgjithësisht pa parregullsi të mëdha votimi dhe raportime për incidente zgjedhore, theksojnë nga PP e RMV-së.

Në bazë të informacioneve të marra nga prokuroritë publike në vend, në Prokurorinë Publike të Kavadarit është hapur rast pas kallëzimit ndaj një personi nga Negotino, i cili është paraqitur nga një qytetar për vepër penale – Cenimi i lirisë së zgjedhjes nga neni 160 i Kodit Penal.Sipas pretendimeve, e denoncuara ka tentuar të ndikojë përmes telefonit që raportuesja të votojë për një parti politike, duke përmendur se ajo është përfituese e asistencës IPARD. Rasti është në procedurë para hetimore dhe po ndërmerren veprime për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale.

Në Koçani janë pranuar njoftime nga MPB-ja për ngjarje të raportuara lidhur me transportin e organizuar të votuesve deri në vendvotim. Prokurori publik menjëherë ka dhënë udhëzime për kontrollimin dhe mbledhjen e të dhënave nëse gjatë transportit votuesit janë prekur në ndonjë mënyrë në lidhje me ushtrimin e të drejtës së tyre të votës.

Një qytetar anonim në Rostushë ka raportuar se një person ka dhënë ryshfet ndaj votuesve. Prokuroria publike Gostivar ka reaguar menjëherë duke dhënë urdhra dhe udhëzime, janë bërë kontrolle të hollësishme, ndërsa pretendimet nuk janë vërtetuar me asnjë provë.

Përveç kësaj, prokuroritë publike veprojnë dhe bëjnë kontrolle për të gjitha ngjarjet e tjera të izoluara për të cilat opinioni ishte i informuar më parë.Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike, thuhet në njoftimin e PP.