Maqedoni

Politikanët si analistë politik

Shkruan: Veton Latifi
Tepër e më tepër politikanët e ambienteve tona shqiptare po tingëllojnë dhe po sillen sikur të jenë analistë politik; mundohen t’u hedhin hi syve të popullit pa ndonjë përgjegjësi politike e shoqërore. Rolet duket të jenë zhvendosur. Është në rritje numri i politikanëve, që japin deklarata, të cilat gjasojnë më shumë me analiza politike se sa të ndonjë oferte apo dhe ideje politike.

Ndërsa, shumë analistë, të cilët janë shumuar mbi kapacitet reale të shoqërive tona, shpesh po ndodh që zbërthimet e problemeve dhe zhvillimeve shoqërore e politike t’i paraqesin në formë të frazeologjive, që u gjasojnë më shumë deklaratave politike se sa ndonjë analize politike të mirëfilltë. Kështu po ndodh që këta të shprehen në mënyrë identike me politikanët imagjinarë, apo të zëdhënësve të tyre dhe po tingëllojnë sikur të kumtojnë deklarata të thjeshta politikanësh.

Ngjashëm është rritur edhe numri i shkencëtarëve politik dhe historianëve, të cilët po ndodh që sqarimet dhe përshkrimet e fenomeneve politike po i zëvendësojnë me formulime të marrëdhënieve me publikun. Shumë prej tyre që janë të thirrur të bëjnë shkencë, po bëjnë PR (marrëdhënie me publikun) dhe anasjelltas.

Rrjedhimisht, nga njëra anë është bërë evidente mungesa e mendimit të mirëfilltë politik, ndërsa nga ana tjetër është bërë evidente përhapja e klithjeve e brohoritjeve, në vend të deklarimit, madje edhe retorikës.

Ka kohë që kemi hyrë në një letargji të rëndë, pa ndonjë ide se si të kthjellohemi në këto stinë injorantësh, e që të dalim nga kjo situatë e mjerë.

(Prof. dr. Veton Latifi, profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare; autor i librit “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, botuar nga “Toena”, Tiranë)